Futboll

“Tirana i ka bindur të gjithë për titullin, Zoti na shpërblen punën”

Tirana ishte skuadra më në formë në momentin e pezullimit të futbollit nga pandemia e koronavirusit, me 12 fitore radhazi dhe 53 pikë pas 26 javësh të luajtura. Kishte marrë superxhiro dhe ndoshta ajo ndërprerje e penalizon më shumë se të tjerët në garën e titullit, megjithatë në kampin bardheblu janë plotësisht të bindur se do të festojnë bashkë me trofeun.

Erjon Xhafa, ish-futbollisti i Tiranës, aktualisht është krahu i djathtë i trajnerit Emanuel Egbo, në një intervistë për Gazeta Si, thekson mes të tjerash se titulli këtë sezon është i merituar dhe uron që situata aktuale të kalojë sa më parë që festa e madhe të bëhet me tifozët. Ai rrëfen çfarë ka ndryshuar në skuadër me trajnerin Egbo, pranon se ndërprerja e ka penalizuar Tiranën dhe “sqaron” dhe punën e “ndihmës” që Zoti po u jep bardhebluve.

Trajneri i Tiranës, Emanuel Egbo, dhe ndihmësi i tij, Erjon Xhafa. Gazeta Si, 16 prill 2020

Erjon, edhe futbolli, si e gjithë jeta në vend, është bllokuar nga koronavirusi. Si po e përjetoni këtë situatë?
Këtë periudhë kanë ndodhur gjëra më të mëdha dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Në këtë moment edhe sporti kalon në plan të dytë, nuk kemi çfarë t’i bëjmë kësaj pjese. Në këtë moment rëndësi ka shëndeti i njerëzve dhe shpresoj që gjithçka të mbyllet sa më parë me sa më pak pasoja
Vinit pas një serie të gjatë fitoresh, a i prishi punë Tiranës kjo ndërprerje e detyruar e kampionatit?
Besoj se po, sepse ishim një skuadrat me ritmin më të mirë në kampionat dhe rivalët tanë ishin të gjithë në momente të vështira. Ata morën një avantazh në këtë rast nga ana psikologjike, si dhe për të rikuperuar ndonjë lojtar të dëmtuar. Po krijonim shkëputje dhe ky pushim i detyruar u shërbeu të gjithëve, përveç Tiranës, sepse, siç e thashë, ishim me ritëm goxha të mirë.

Erjon Xhafa gjatë një seance stërvitore. Gazeta Si, 16 prill 2020

Megjithatë, keni një diferencë prej 9 pikësh në krye dhe jeni të qetë, apo jo?
Po, është diferencë e konsiderueshme, por dua të theksoj se edhe ndeshja ka shumë për të luajtur, ndaj do të ishte gabimi më i madh i yni, nëse do të mendojmë se e kemi fituar titullin kur të rinisë kampionati. Nëse hyjmë me këtë mendim, pra kur do të ngremë kupën, do të hedhim poshtë gjithçka që kemi bërë deri tani. Duhet të jemi të përqendruar deri në fund, duke i parë ndeshjet një e nga një.
Pjesa e karantinës si po shkon?
Shumë e vështirë për ne dhe çdo njeri. Natyra e njeriut është që të lëvizë, të punojë, të dalë në ambiente të ndryshme. Aq më tepër për ne, që jemi gjithë kohën në lëvizje, stërvitje, ndërrime qytetesh, grumbullime, gjithë kohën bashkë. Ky izolim total është shumë i vështirë, por të paktën kemi më shumë kohë për familjen. Ta shfrytëzojmë këtë pjesë, sepse ka bukurinë e saj. Lojtarët po mundohen të stërviten sadopak brenda kushteve të shtëpisë.
Fillimi i qershorit shihet si koha më e mundshme për rinisjen e kampionatit me një kalendar të ngjeshur. Sa e vështirë do të jetë?
Po bëhet një pushim i gjatë dhe ekipet do të zbresin në fushë pas një kohe të gjatë, kështu që do të jetë shumë e vështirë. Nuk e dimë se në çfarë ritmi do të jenë lojtarët, por ajo që na qetëson është se të gjithë do të jemi në nivele të barabarta. Këtë periudhë po e kalojmë të gjithë, jo vetëm ne. Ndodhi diçka që nuk ishte në dorën e askujt.

Tirana feston fitoren në derbin me Partizanin. Gazeta Si, 16 prill 2020

Ka dhe një skenar, që parashikon mbylljen e kampionatit me renditjen aktuale, pra me Tiranën kampione, nëse është i pamundur rikthimi në fushë…
Ne jemi të gatshëm për çdo lloj skenari, çdo vendimi që do të merret nga Federata. Në radhë të parë, të kalojë kjo situatë, pastaj, nëse vendoset të luhet, do të luajmë, sepse kjo është detyra jonë. Për titullin që mund të marrim në tavolinë, besoj se të gjithë janë të bindur se Tirana e ka merituar këtë sezon, është 9 pikë larg vendit të dytë, ka 12 ndeshje që fiton radhazi, ka mundur rivalët direkt. Nuk do të thotë kush se Tiranës iu dhurua kampionati, nëse merret vendimi që po flasim. Jemi në një pozicion, ku të gjithë e pranojnë Tiranën kampione.
Dhe do të ishte dhurata më e bukur për 100-vjetorin e krijimit?
Po, do të ishte bukur po të festonim me tifozët, sepse Tirana ka shumë tifozë. Kemi një tifozëri të madhe, që na ndjek kudo dhe do të ishte kënaqësi e madhe të festonim me ta.
Çfarë ndryshoi me uljen e trajnerit Egbo në stolin e Tirana?
Pas fitores me Partizanin, që erdhi në një moment shumë të vështirë, ekipi kuptoi forcën që ka. Egbo i dha atë qetësinë që kishte munguar në atë periudhë, lojtarët kuptuan se në çfarë pike ishin. Trajneri Egbo u tregua shumë i zoti që t’ua përcjellë si duhet mesazhin lojtarëve, me qetësi. Kjo është kryesorja, ai i mbështeti lojtarët si trajner, u qëndroi shumë afër, pa i vënë në presionin e rezultatit.

Xhafa dhe Egbo ndjekin një ndeshje nga tribuna e “Selman Stërmasit”. Gazeta Si, 16 prill 2020

Po nga ana teknike, çfarë ndryshoi, sepse Egbo tregohet modest dhe ia jep meritat Zotit?
Ka diçka këtu, gjithmonë e gjykojnë për atë që thotë për Zotin. Egbo është një njeri që beson shumë në Zot dhe është me idenë se jemi të gjithë që besojmë, por ai nuk thotë se fitoret po na i jep Zoti. Ai thotë që po punove, po ia bëre shërbimin asaj që kërkon, Zoti të jep frytet e punës tënde. Këtë thotë Egbo, për atë që ne përgatisim gjatë gjithë javës me lojtarët dhe në fushë japim maksimumin, në fund themi që Zoti na dha atë që na takonte. Nuk është se rrimë gjithë javën ngrohemi në diell dhe presim nga Zoti, sepse pastaj do të ishte futboll i çuditshëm, do të ishte kush beson më shumë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë