Një gol i Majkëll Ngo, ose më saktë një gafë e portieri Stazhilla të Laçit, i ka dhënë Tiranës fitoren e radhës në stadiumin “Air Albania”. Skuadra e trajnerit Emanuel Egbo nuk mund ta humbte këtë rast për të bërë shkëputjen dhe tani, me 9 pikë diferencë nga vendi i dytë, pret ndeshjen e sotme të Kukësit rival në Korçë, sepse me Partizanin i ka mbyllur llogaritë që me fitoren në derbi. Tirana udhëheq me 53 pikë, ndërsa Kukësi ka 44.
Por nuk ishte aspak e lehtë për bardheblutë, të cilët kishin edhe fatin në krahun e tyre, pasi Laçi u ndal nga shtylla në pjesën e parë, kur rezultati ishte 0-0. Në pjesën e dytë Tirana shtoi forcat në sulm dhe arriti ta gjente golin me vlerën e tri pikëve 20 minuta para fundit. Sulmuesi anglez goditi me kokë pas një krosi nga e djathta dhe topi shkoi në rrjetën e portës së boshatisur, pasi Stazhilla kishte dalë gabim. Një fitore me shumë vlera për kryesuesit e Superiores.
Tirana është skuadra e vetme që fitoi sot, pasi dy ndeshjet e tjera të javës së 26-të u mbyllën në barazim, 1-1. As Teuta nuk mundi të fitonte ndaj Flamurtarit dhe as Bylisi ndaj Luftëtarit. Madje, më afër fitores kanë qenë dy skuadrat që mbyllin tabelën e klasifikimit. Një hap i gabuar i Teutës, që mund të ketë pasoja, ndërsa Bylisi prej një kohe të gjatë e ka humbur kontaktin me fitoren.
Dy nga 5 ndeshjet më të rëndësishme të javës së 26-të të Superiores luhen të hënën. Skënderbeu pret Kukësin në Korçë, ndërsa Vllaznia dhe Partizani luajnë në “Loro Boriçi” të Shkodrës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje