Ishte nisur për të mos u mundur Laç skuadra e Tiranës, por kjo transfertë shkoi më mirë edhe nga sa mund të ishte menduar edhe nga vetë bardheblutë. Kryeqytetasit fituan 1-3 në këtë ndeshje, duke ruajtur diferencën prej dy pikësh me Kastriotin rival, që siç pritej, fitoi 2-1 me Teutën. Kjo do të thotë se Tirana e ka tashmë në dorën e vet qëndrimin në Superiore, mjafton të mundë Flamurtarin në “Selman Stërmasi” në javën e fundit.
Ndeshja nisi në mënyrën më të mirë për Tiranën, që fitoi një penallti me Ngo, por Kobina gaboi nga pika e bardhë. Megjithatë, fati ishte me kryeqytetasit, të cilët gjetën golin me Grecën dhe presioni kaloi në anën e Laçit, që luftonte për Europën. Me një kundërsulm të shpejtë, Tirana gjeti edhe golin e dytë, me autor afrikanin Kobina, ndërkohë që Shtubina shpërdoroi një 11-metërsh, duke gabuar përballë Likës. Në pjesën e dytë Laçi u duk më agresiv, por nuk mundi të diktonte në lojë. Shtubina vetëm sa shkurtoi diferencën e golave, sepse një eurogol i Edon Hasanit preu çdo shpresë të Laçit për të marrë pikë në këtë ndeshje. Tensioni, duke ditur rëndësinë e ndeshjes, ishte i pranishëm, çka e vërteton edhe numri i lartë i kartonëve të verdhë të akorduar nga ndërkombëtari Jorgji. Tirana largon në një farë mënyrë makthet, edhe pse ka edhe një ndeshje tjetër që duhet ta fitojë.
Laçi komplikon ndjeshëm llogaritë e Europës me këtë humbje, pasi është parakaluar nga Skënderbeu, që mundi Luftëtarin 2-0 në Korçë. Teuta u mund nga Kastrioti, por mbetet në zonën europiane, ashtu si Flamurtari. Për ekipet që shkojnë në Kupat e Europës vendos jo pak edhe finalja e Kupës së Shqipërisë mes Kukësit dhe Tiranës. Nëse fiton Kukësi, liron një vend në kampionat dhe këtu janë disa skuadrat që mund të përfitojnë, por duhet pritur më parë java e fundit e kampionatit.
Ndeshja Partizani-Kukësi u mbyll në barazim 1-1, me gola të Rexhinaldo dhe Çinarit. Ishte një ndeshje formale pothuajse, ku Kukësi ruajti vendin e dytë, ndërsa Partizani më shumë mendonte për festën e madhe të titullit pas ndeshjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje