Futboll

Tirana shpëton në shtesë, Flamurtari gjunjëzon Skënderbeun

Ajo fitore e një jave më parë me Kukësin duket se kishte sjellë eufori te Tirana, që e mori lehtë ndeshjen me Luftëtarin dhe me shumë vështirësi arriti të shmangë humbjen. Një gol mjaft i bukur i afrikanit Kobina në minutën e tretë shtesë ka bërë që Tirana të marrë një pikë në fushën e saj, pas barazimit 1-1. Albano Aleksi e kishte kaluar Luftëtarin në avantazh në pjesën e parë dhe gjirokastritët ishin shumë pranë një suksesi në transfetë, por ai eurogol i Kobina u hoqi dy pikë nga duart.

Mjaft e luftuar dhe e hapur deri në fund ishte edhe sfida e Vlorës me Flamurtarit dhe Skënderbeut. Vlonjatët janë kthyer te fitorja, ndërsa korçarët janë futur përsëri në krizën e rezultateve. Andi Ribaj dhe Emiljano Musta fiksuan rezultatin 2-0 në favor të Flamurtarit, që e ka barazuar Skënderbeun në kuotën e 33 pikëve. Vlen te theksohet se Skënderbeut iu anulua një gol për faj të sulmuesit të tij Oto Xhon, i cili preku një top që po i drejtohej rrjetës, pasi ishte në pozicion jashtë loje.

Nga ndeshja Tirana-Luftëtari, 1-1

Java e 22-të e Superiores ka prodhuar pak gola dhe rezultate surprizë, ku veçohen humbjet e Partizanit dhe Kukësit, si dhe fitorja e Kastriotit në Kamzë, që solli edhe largimin e trajnerit Ernest Gjoka. Partizani vazhdon të udhëheqë me 46 pikë, 7 pikë para Teutës së vendit të dytë. E hapur mbetet gara për Kupat e Europës dhe për mbijetesën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë