Politike

Cakaj kundër Thaçit: Bashkimi s’është as në agjendën e Kosovës as të Shqipërisë

“Bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë nuk është në agjendën zyrtare të Prishtinës dhe Tiranës”. Ky ishte reagimi i parë i Ministrit në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj mbi deklaratat e bujshme të presidentit Hashim Thaçi për bashkim në një shtet.

I pyetur nga Gazeta Si se çfarë mendon për qëndrimin e mbajtur së fundmi nga kreu i shtetit të Kosovës, i cili i ka bërë madje thirrje Parlamentit në Prishtinë dhe në Tiranë që të dalin me deklarata për të jetuar në një shtet të përbashkët, Cakaj tha se Shqipëria do të intensifikojë bashkëpunimin rajonal me Kosovën, në kuadër të Procesit të Berlinit.

“Sa i përket deklaratave të Presidentit të Kosovës kjo është një çështje që nuk është në agjendën zyrtare të asnjërës prej vendeve, por natyrisht që ne jemi në përpjekje e sipër për të intensifikuar bashkëpunimin rajonal me Kosovën dhe vendet e tjera në rajon. Parimi i bashkëpunimit rajonal është në agjendën e Shqipërisë sepse kështu e kërkon Procesi i Berlinit”, thekson Cakaj. Për Ministrin në Detyrë, qeveria shqiptare kërkon forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, jo vetëm me Prishtinën zyrtare, por edhe me shqiptarët e tjerë në rajon.

Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj dhe presidenti Hashim Thaçi

“Deri tash ambicia jonë për bashkëpunim nuk ka qenë vetëm me Kosovën, por me shqiptarët në mbarë rajonin dhe vendet e tjera në përgjithësi”, shton ai.

Deklaratat e ministrit në Detyrë pasojnë reagimet e ish-ministrit të Jashtëm të PD-së, Tritan Shehu, i cili është shprehur tejet skeptik për deklaratat e zotit Thaçi dhe atë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

I pyetur nëse është dakord për bashkimin e Shqipërisë me Kosovës, zoti Meta nuk hodhi poshtë “nismën” e homologut Thaçi, kur tha disa ditë më parë se do të mbështeste çdo iniciativë që nuk cenon marrëdhëniet e vendit tonë me Bashkimin Europian.

“Midis Kosovës dhe Shqipërisë duhet hequr çdo pengesë, që nuk cenon marrëdhëniet e Shqipërisë me BE-në. Çdo pengesë duhet hequr”, tha ai. Në një intervistë me “Tv Dukagjini” presidenti Meta kërkoi në radhë të parë heqjen e taksës se Kalimashit, të cilën e konsideroi si një “gërmadhë”.

“Tani, kur flitet për gërmadha natyrisht që kemi të bëjmë me një simbolikë të caktuar. E theksoj, çdo gjë që nuk cenon integrimin e Shqipërisë në BE gëzon mbështetjen time të plotë sa i takon marrëdhënieve me Kosovën”, tha Meta.

Por për ish-ministrin Shehu, i cili ka folur më tone më të ashpra se Cakaj, tezat e Thaçit bien ndesh me interesat tona kombëtare e stabilitetin e rajonit. Ai ka akuzuar presidentin e Kosovës se është duke zgjuar edhe ëndrrat e Beogradit për Serbinë e Madhe.

Presidenti Ilir Meta dhe Hashim Thaçi

“Ai dje kërkoi përfshirjen e Parlamenteve të Kosovës e Shqipërisë në aventura të rrezikshme “bashkimi kombëtar”, që u shkojnë për shtat atyre që duan të na kthejnë në faktor destabiliteti, të na mbajnë ne dhe rajonin larg BE-se!”, shkruan Shehu. Me shkëmbimin e territoreve ai me bashkautorë ringjalli një aspiratë të dominimit serb në rajon, por që u shua në Berlin. Se fundmi në sinkron me ata që kërkojnë të na veshin kostumin nacionalist të ‘Shqipërisë së Madhe’, ky President u bën të tilla thirrje Parlamenteve, në kundërshtim me detyrat e juridiksionin e tij. Thaçi godet kështu edhe ‘Paketen Ahtisari’, që është dokumenti bazë i lirisë së pavarësisë së Kosovës, i vendimit të Gjykatës së Hagës, i Kushtetutës së saj. Të tilla teori që rihapin edhe ëndrrat e Serbisë së Madhe nëpërmjet ndryshimit të kufijve, vetëm dëmtojnë imazhin e interesave shqiptare në këto periudha të vështira dhe na izolojnë”, thotë ish-ministri i Jashtëm

Shehu sugjeron se presidenti po përfshin Shqipërinë në të tilla aventura për të larë veten mbas “shuplakës” së Berlinit. “Çdo gjë është e mundur, por sidoqoftë përgjigja duhet dhënë e prerë: ne e kemi fytyrën vetëm drejt Europës, aty do të bashkohemi!”, thekson Shehu.

Reagimet nga Tirana zyrtare pasojnë deklaratat e papritura të Presidentit Hashim Thaçi, i cili ka kërkuar që Shqipëria dhe Kosova të jetojnë në të ardhmen të afërt si një komb i vetëm.

Pas Hasit, ai ka folur sërish për bashkim kombëtar mes dy vendeve, ide të cilën duket se e ka kthyer tanimë në qëllimin e radhës politik. Nga ceremonia e 20-vjetorit të operacionit “Shigjeta DO-2” presidenti Thaçi tha se zgjidhja më e mirë për të dyja vendet është që Parlamenti i Kosovës dhe ai i Shqipërisë të dalin me deklarata për të jetuar në një shtet të përbashkët dhe pa kufij.

Sipas Thaçit, tanimë po krijohen edhe rrethanat e reja, të cilat sipas tij, ofrojnë bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë si zgjidhjen më të mirë.


Hashim Thaçi

“E ardhmja e jonë e sigurt është në NATO dhe në Bashkimin Europian. Por megjithatë po krijohen edhe rrethana të reja që zgjidhja më e mirë do të ishte që të dy parlamentet ai i Kosovës dhe Shqipërisë të nxjerrin deklaratat e nevojshme të vullnetit të popullit të Kosovës dhe Shqipërisë që të jetojmë në një shtet të përbashkët pa kufij”, tha Thaçi.
Edhe pse nuk ka dhënë detaje se cilat janë këto rrethana dhe nëse ka marrë “bekimin” e SHBA-së, edhe për idenë e bashkimit kombëtar, ashtu si për ndryshimin e kufijve, deklaratat e tij kanë shkaktuar një “tërmet politik” në Tiranë dhe Prishtinë.

Analisti nga Kosova Artan Muhaxhiri, thotë se deklaratat e presidentit Thaçi janë krejtësisht të pabazuara në realitetin politik të Tiranës dhe Prishtinës. Sipas tij, presidenti nuk ka marrë miratimin e “ndërkombëtareve” për realizimin e një skenari të tillë.
“Më shumë është një tendencë për të qenë i pranishëm në media dhe në biseda kafehanesh sesa një skenar serioz dhe konkret. Është absolutisht e qartë se si bëhen këto ndryshime të mëdha gjeopolitike dhe gjeostrategjike në Ballkan dhe asnjëherë nuk janë bërë në këtë mënyrë. Pra, nevojitet një ndryshim i madh dhe një presion i madh ndërkombëtar për tu bërë të bërë të mundur ndryshime të tilla dhe deri tani nuk ka asgjë konkrete”, thekson ai.

I pyetur sesi mund të bëhet i mundur bashkimi i Shqipërisë dhe Kosovës, Thaçi dha dy ide: bashkimit nën “ombrellën e Bashkimit Europian” dhe bashkimit “nën ombrellën shqiptare” në një territor të vetëm. Sipas presidentit të Kosovës, kjo ide është më e lehtë për t’u realizuar sesa largimi i Serbisë nga Kosova.

“Lugina e Preshevës duhet të bashkohet me Kosovën, njësoj sikurse Kosova që duhet të bashkohet natyrshëm me Shqipërinë, nën ombrellën e përbashkët të BE-së ose edhe vetëm nën ombrellën shqiptare, nëse BE-ja vazhdon t’i mbyll dyert për ne”, ka thënë Thaçi.
Deklaratat për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, si opsion, vijnë edhe në kohën kur Kosova dhe Shqipëria po përgatiten për takimin e radhës më 1 korrik, në Paris, i cili pritet të mbahet me ndërmjetësimin e presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelares gjermane, Anglela Merkel.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë