Futboll

Tiranës i ikën fitorja nga duart, Laçi bën ligjin në Korçë

Barazimi 1-1 në stadiumin “Niko Dovana” ndaj Teutës e ka ngjitur Tiranën në vend të parë, me pikë të barabarta me Partizanin (18 pikë), por me golaverazh më të mirë se të kuqtë. Skuadra e Ahmatajt mund të ishte shkëputur, nëse nuk do të ishin minutat shtesë, kur Hoxha barazoi për durrsakët. Majkëll Ngo e kishte kaluar Tiranën në avantazh në pjesën e parë dhe më pas bardheblutë patën edhe disa raste të tjera për shënim. Hoxhallari u ndëshkua me karton të kuq dhe e la Tiranën me 10 vetë në fundin e ndeshjes. Teuta barazoi në frymën e fundit, duke i hequr fitoren nga duart skuadrës kryeqytetase, ndërkohë që pas ndeshjes pati edhe tension mes lojtarëve.

Ngo feston golin e shënuar ndaj Teutës. Gazeta Si, 2 nëntor 2019

Në ndeshjen tjetër të javës së 11 të Superiores, Laçi ka bërë ligjin në Korçë, ku ka shënuar 4 gola, duke zhvlerësuar avantazhin momental të Skënderbeut me Gripshin. Sulmuesi Nuabueze ishte sërish protagonist për Laçin me 2 gola të shënuar. Lushkja dhe Xhixha janë autorët e dy golave të tjerë për kurbinasit. Korçarët duken në vështirësi dhe duhet të marrin masat që tani për mbijetesën, ndërsa Laçi, me ardhjen e Cungut, po ecën me ritme të larta.

Partizani ka shansin të marrë sërish kryesimin sot në ndeshjen me Luftëtarin. Një ndeshje e lehtë në letër për të kuqtë e Lerdës, ndërsa Kukësi ndeshet në stadiumin e Lushnjës me Flamurtarin. Java e 11-të mbyllet me ndeshjen Vllaznia-Bylis, që luhet ditën e hënë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë