Futboll

Titullar ndaj Interit, Hysaj shkon në finale të Kupës së Italisë

Napoli është finalisti i dytë i Kupës së Italisë, pas Juventusit që ishte kualifikuar ndaj Milanit të enjten në mbrëmje. Elseid Hysaj, kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, ishte titullar në barazimin 1-1 në “San Paolo”, që i siguroi skuadrës së tij një “biletë” për në finale, pasi ndeshjen e parë në Milano e kishte fituar 0-1.

Hysaj luajti në krahun e majtë të mbrojtjes në këtë ndeshje, ku trajneri Xhenaro Gatuzo e preferoi para portugezit Mario Rui. Edhe pse emri i futbollistit shqiptar lakohet gjithmonë e më shumë si një nga ata që do të largohen nga Napoli, – disa herë e ka theksuar agjenti i shkodranit se po kërkon një klub të ri, – sërish Hysaj gjen vend në formacionin e trajnerit Gatuzo, madje edhe jashtë rolit të tij natyral.

Hysaj në dyluftim me Lautaro Martinez. Gazeta Si, 14 qershor 2020

Kapiteni kuqezi qëndroi 90 minuta në fushë, ishte ndër ata lojtarë që nuk u zëvendësuan, edhe pse paraqitja e tij është vlerësuar poshtë mesatares. Hysaj vuajti thuajse gjatë gjithë ndeshjes përballë Kandrevës dhe specialistët italianë e kanë vlerësuar me notën 5.5 paraqitjen e tij. Gjithsesi, e rëndësishme është që mbrojtësi ka shansin të luajë një finale dhe të fitojë një trofe me Napolin, ndoshta para se të largohet. Kupën e Italisë më parë e kanë fituar edhe lojtarët të tjerë të Kombëtares, Tomas Strakosha dhe Lorik Cana, të dy me fanellën e Lacios.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë