Futboll

Tjetër përrallë me “hirushe” në Francë, kualifikohet një ekip fshati

Duke ndjekur modelin e “FA Cup” në Angli, edhe Kupa e Francës na ka mësuar me përralla skuadrash të kategorive inferiore, që bëjnë mrekullinë, duke eliminuar emra të mëdhenj dhe duke shkuar deri një hap larg trofeut. Është i freskët rasti i Les Herbiers, skuadër e kategorisë së tretë (tani në të katërtën), që shkoi deri në finalen e “Saint-Denis”, ku u mund 2-0 majin e kaluar nga PSG-ja. Një histori, që po përsëritet çdo vit në Francë.

Ka ndodhur edhe në këtë edicion të Kupës së Francës, ku së fundi janë tri skuadra të kategorive inferiore që u kanë bërë një shaka skuadrave të mëdha të Ligue 1. Mrekullinë e ka bërë Viri-Shatilon, skuadër e kategorisë së 4-t, që mundi 1-0 Angers, me gol të Sako. Festë edhe për Sanua, skuadër e kategorisë së 3-të, që mundi po 1-0 Montpeljenë. Për t’u veçuar është edhe rasti i Lion Dusher, “kushërinjve të varfër” të Lionit, që mundën 3-0 Nimes.

Festa e Viri Shatilon, pasi eliminoi Angers

Dhe është pikërisht Nimes protagoniste e historive të tilla në Francë. Para kthimit në Ligue 1, i pritur për 25 vjet dhe i kurorëzuar majin e vitit të kaluar, kjo skuadër ka qenë “hirushja” e parë në Francë. Në vitin 1996 ajo luante në kategorinë e tretë dhe në finale të kupës u mund nga Okseri, kampion i Francës në atë kohë. Por Nimes u kualifikua për në Kupën e Kupave, ku bëri sërish histori, duke mundur Honved Budapestin dhe duke u bërë e para dhe e vetmja skuadër e kategorisë së tertë, që kalon një tur në një kompeticion ndërkombëtar.

Por përralla e vërtetë ka qenë Kalais, që në vitin 2000 i shkoi shumë afër ëndrrës. Një skuadër gjysmë e improvizuar e kategorisë së katërt, me punonjës të profesioneve të ndryshme (magazinierë, peshkatarë etj), shkoi në finale pasi eliminoi Strasburgun në çerekfinale dhe Bordonë në gjysmëfinale. Në “Saint-Denis”, kundër Nantës, Kalais kaloi e para në avantazh me Dutitre, por më pas u mposht nga dygolëshi i Sibierskit, që prishi ëndrrën e gjithë Francës. Për t’u “kërkuar falje” kundërshtarëve për “dëmin” e shkaktuar, Landro, kapiteni i Nantës, i kërkoi kapitenit të skuadrës humbëse që ta ngrinin bashkë trofeun, siç bëri edhe Tiago Silva në fund të sezonit që shkoi.

Përrallat e fundit në Francë janë shkruar nga Amiens dhe Kuevili, kur ato kanë qenë pjesë e kategorisë së tretë. Amiens humbi në finale me penallti ndaj Strasburgut në vitin 2001, kurse Kuevili në vitin 2012, pasi eliminoi Marsejën dhe Renes, u mund në finale nga Lioni.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë