Futboll

Tjetër shkëmbim i bujshëm Juventus-Barcelona, Dibala për Ansu Fatin

Do të ishte shkëmbimi më i bujshëm i merkatos së dimrit. Në Spanjë qarkullojnë zëra për një tjetër operacion midis Juventusit dhe Barcelonës, ku janë të përfshirë Paulo Dibala dhe Ansu Fati, të cilët do të shkëmbenin skuadër.

“La Joya” dhe Juventusi janë ende larg një akordi për rinovimin, kurse Paratiçi e ka pikë të dobët sulmuesin e katalanasve që ka të njëjtin agjent me Kristiano Ronaldon, portugezin Jorge Mendes. Për më tepër, katalanasit janë në krizë të thellë financiare dhe mund të sakrifikonin futbollistin 18-vjeçar. Për momentin mbeten vetëm zëra dhe nuk mund të flitet për shifra.

Paulo Dibala. Gazeta Si, 18 dhjetor 2020

Të dhënat e qarta janë se Dibalës i skadon kontrata me Juventusin në vitin 2022 dhe pretendon një kontratë të re faraonike, kurse Ansu Fati ka një akord që e mban lidhur me Barcelonën deri në vitin 2024 dhe një klauzolë për prishje kontrate prej 400 milionë eurosh. Mes dy klubeve, më i interesuar është Juventusi, pak i predispozuar për të plotësuar kushtet e Dibalës, që po përjeton një sezon të dobët nën hijen e Ronaldos dhe Moratës. Pas 6 sezonesh bardhezi, një ndërrim ambienti mund të ishte mirë për argjentinasin.

Sulmuesi i ri spanjoll e nisi sezonin shumë mirë, por duhet të qëndrojë jashtë edhe ndonjë muaj pas operacionit në menisk. Paratiçi e vlerëson shumë dhe tentoi goditjen edhe gjatë verës, kur dy klubet bënë shkëmbimin Pjaniç-Artur, por atëherë mori një “Jo” të thatë nga katalanasit. Barcelona është në “ajër”, në pritje të presidentit të ri në janar, ndaj nuk ka një person adapt që mund të flasë për momentin.

Ansu Fati. Gazeta Si, 18 dhjetor 2020

Çdo lëvizje e merkatos te katalanasit varet nga presidenti i ri. Për më tepër, është edhe çështja e Mesit për t’u zgjidhur. Nga janari argjentinasi është i lirë të kërkojë një klub të ri. Nëse “pleshti” vendos të largohet, do të ishte një vetëvrasje për drejtuesit e rinj që të privohen edhe nga paasardhësi i tij. Vetëm koha do të tregojë, nëse zërat nga Spanja do të mbeten të tillë, apo do të kemi një tjetër shkëmbim të bujshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë