Sport

Tokio 2020, CIO ndihmon Japoninë me vaksinimin e spektatorëve

Olimpiada e Tokios po afron dhe paqartësitë që kanë lindur nga pandemia mbajnë të hapura shumë tema që lidhen me organizimin e saj. Megjithatë, kryeministri i Japonisë, Yoshihide Suga, dhe presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, janë optimistë për praninë e spektatorëve në Tokio 2020.

“Kemi shumë besim se Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike do të jenë një histori suksesi në Tokio verën e ardhshme”, – ka shpjeguar Bach pas takimit me kreun e qeverisë japoneze në lidhje me organizimin e Olimpiadës. Suga dhe Bach kanë diskutuar për rreth 30 minuta sa u takon mënyrave se si do sistemohen spektatorët në eventin e madh sportiv, që nis më 23 korrik dhe përfundon më 8 gusht të vitit të ardhshëm.

Thomas Bach, presidenti i CIO-s. Gazeta Si, 16 nëntor 2020

Në mars u morr vendimi që Olimpiada të shtyhej me një vit, duke parë situatën e emergjencës me Koronavirusin. Organizatorët japin garanci për sigurinë gjatë këtij aktiviteti. “Për të mbrojtur popullin japonez dhe për ta respektuar atë, Komitetit Olimpik Ndërkombëtar do të bëjë një sforco, në mënyrë që pjesa më e madhe e pjesëmarrësve në Olimpiadë dhe e spektatorëve të jenë të vaksinuar, pasi mendohet që deri atëherë do të ketë një vaksinë”, – ka saktësuar Bach. Vizita e tij në Tokio është 4-ditore.

Në raport me vendet e tjera lindore, Japonia ka pasur një numër më të ulët të përhapjes së virusit, por rastet janë shtuar javët e fundit, pas uljes së temperaturave dhe lehtësimit të masave nga qeveria për të nxitur turizmin. Qeveria japoneze ka në plan të heqë karantinën e detyrueshme për turistët që do të vizitojnë vendin gjatë Olimpiadës, por vetëm nëse ata vijnë nga vende që konsiderohen të sigurta.

E njëjta gjë vlen edhe për sportistët që do të marrin pjesë në këtë kompeticion, bashkë me stafin. Gjithsesi, vendimi zyrtar do të merret pranverën e ardhshme, sipas shtypit japonez.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë