Futboll

Tokio 2020/ Spanja eliminon Argjentinën, jashtë edhe Gjermania me Francën (video)

Është mbyllur faza në grupe e turneut të futbollit në Tokio 2020. Kanë kaluar në çerekfinale si kryesuese grupi Spanja, që eliminoi Argjentinën pas barazimit 1-1 në takimin direkt, Brazili që mundi 3-1 Arabinë Saudite, Korea e Jugut që mundi Hondurasin 6-0, dhe Japonia, pas fitores 4-0 ndaj Francës. Jashtë edhe Gjermania, pas barazimit 1-1 me Bregun e Fildishtë. Janë kualifikuar Meksika, Zelanda e re dhe Egjipti.

Ndeshja më e rëndësishme ishte ishte ajo mes Spanjës dhe Argjentinës, që dhuroi mjaft emocione. Barazimi u mjaftoi iberikëve për të kaluar më tej, ata dominuan dhe shënuan me Merinon. Argjentina barazoi 3 minuta para fundit me Belmonte, por vetëm kaq. Ajo mbeti jashtë, pasi u rendit e treta në grup.

Brazili vuajti pak ndaj Arabisë Saudite, që iu përgjigj golit të Kunjës me Al Amri. Në fund Brazili shënoi dy golat e fitores me Riçarlison dhe zuri vendin e parë. Në të dytin u rendit Bregu i Fildishtë, pas barazimit 1-1 me Gjermaninë, që e la këtë të fundit jashtë. Henrishs shkaktoi një autogol, ndërsa Louuen barazoi për Gjermaninë, që e mbylli me 4 pikë turneun.

Fitorja me Afrikën e Jugut u duk se i dha moral Francës olimpike, por ndaj Japonisë vendëse ajo pësoi një humbje të thellë. Kubo dhe Sakai shënuan fillimisht për Japoninë. Veteranët Thuvin dhe Zhinjak nuk arritën ta ndihmonin Francën të reagonte dhe në pjesën e dytë Mijoshi dhe Maeda thelluan rezultatin. Aventura olimpike e francezëve mbyllet keq.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë