Futboll

Tomas Strakosha: Jam si Spiderman, fitorja me Juven më e bukura

I gëzuar për rikthimin në fushë, me shpresën që së shpejti të nisin edhe ndeshjet. Tomas Strakosha ka folur për ”Lazio Style”, duke treguar emocionet e një momenti vërtet të veçantë. “Është bukur të kthehemi në Formelo (qendra stërvitore e Lacios), dhe të shohim barin e fushës dhe shokët e skuadrës, edhe pse pak në distancë. Nuk ka qenë e lehtë të qëndronim në shtëpi këto javë, megjithëse për ne futbollistët ndoshta ka qenë më e lehtë se për njerëzit e tjerë.

I kam kaluar ditët duke parë filma dhe duke u stërvitur. Për fat të mirë, kam pasur pranë familjen, në të kundërt do ta kisha shumë të vështirë. Tani mund të stërvitemi si duhet, shumë më mirë se në park. Qendra jonë sportive ishte një nga më të mirat, tani është edhe më shumë”.

Shpresat e Strakoshës, ashtu si dhe të shokëve të tij të skuadrës, janë që të fillojnë të luajnë sa më shpejt. “Jemi të karikuar dhe duam të luajmë, por pa rrezikuar askënd për fajin tonë. Të luajmë pa tifozë, nëse do të luajmë, nuk do të jetë bukur, por është një moment i vështirë për gjithë botën. Pushimi me siguri ka pasoja dhe duhet të kuptojmë së pari se është një çështje mentale. Gjithsesi, jam optimist, sepse e di forcën tonë. Jemi një grup lojtarësh që luajmë bashkë prej katër vjetësh, jemi rritur shumë si teknikisht, ashtu edhe në mentalitet”.

Portieri kuqezi i Lacios ka besim të plotë në gjithë sistemin e klubit ku bën pjesë. Strakosha bën edhe një krahasim të ekipit të tij me “Avengers” (film serial): “Radu është Hulk, Thor mund të jetë Açerbi, Capitan America është Luliç, Iron Man le të themi Luis Alberto, sepse është preciz për gjithçka. Unë? Eh, unë jam Spiderman!”.

Një montazh i postuar nga Strakosha në profilin e tij në Instagram. Gazeta Si, 9 maj 2020


Për veten e tij portieri shqiptar shton: “Gjithçka që po ndodh, nuk e prisja. Unë punoj fort dhe përpiqem të arrij objektiva të rinj. Tare dhe Inzagi kanë qenë të rëndësishëm për mua. Drejtori ka besuar tek unë që në fillim, kurse trajneri më ka dhënë mundësinë të luaj. Sigurisht, kanë qenë të rëndësishëm edhe përgatitësit e mi, Grixhoni dhe Xapala”.
Strakosha është bërë një titullar fiks i Lacios, që tashmë po ecën shumë mirë dhe synon titullin në Serinë A.

“Ndeshja kyçe ishte ajo me Atalantën në tetor, në “Olimpico”. Humbnim 3-0 në fund të pjesës së parë dhe në fund barazuam 3-3. Aty u bëmë të vetëdijshëm për kualitetin që kemi si ekip”, – thotë Strakosha, i cili në fakt ka një ndeshje tjetër më për zemër. Nuk është asnjë nga finalet e fituara me Lacion në tre vitet e fundit. “Ndeshja që më pëlqen më shumë është fitorja kundër Juventusit në “Stadium”, në kampionat, dy vjet e gjysmë më parë. Prej 15 vitesh Lacio nuk fitonte në shtëpinë e Juventusit”. Një fitore që u arrit falë penalltisë që Strakosha i priti Dibalës në fund të ndeshjes.

Strakosha pret penalltinë e Dibalës. Gazeta Si, 9 maj 2020

Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë