Bota

Tornadot godasin Alabaman, të paktën 5 të vdekur në SHBA (Foto)

Të paktën pesë persona kanë humbur jetën si pasojë e tornadove që goditën Alabaman verilindore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas asaj që raporton BBC, i cili citon shërbimet lokale të ekipeve të shpëtimit, uragani i dhunshëm goditi qytetin e Oatchee, në Qarkun Calhoun, duke shkaktuar gjithashtu dëme serioze në qindra banesa. Të paktën shtatë tornado u raportuan gjatë ditës.

Mes viktimave, ishin tre anëtarët e një familjeje që banonin në një shtëpi druri, ndërsa një burrë dhe një grua tjetër humbën jetën në shtëpitë e tyre portative.

Guvernatori i shtetit, Kay Ivey, i kërkoi publikut të “mbajë një nivel të lartë gatishmërie”, ndërsa Shërbimi Kombëtar i Motit u bëri thirrje banorëve të mbrohen dhe të jenë vigjilentë deri në momentin e fundit.

Autoritetet njoftuan se stuhitë e forta dhe përmbytjet vazhduan përgjatë natës, ndërsa 35 mijë banorë mbetën pa energji elektrike.

Në vitin 2019, më shumë se 20 njerëz humbën jetën, duke përfshirë tre fëmijë, për shkak të dy tornadove në lindje të shtetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë