Lajme

“Toyota”, vijon beteja Balla-Basha

Pas shtyrjes së fundit të seancës gjyqësore në ambientet e Gjykatës Penale, ka nisur procesi gjyqësor mes kryetarit të PD, Lulzim Basha dhe kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla për çështjen e Toyota Auris.

Edhe në këtë seancë, kryedemokrati Basha nuk ka qenë i pranishëm, duke u përfaqësuar nga dy avokatët e tij, Gazment Bardhi dhe Ivi Kaso. Gjatë seancës, gjyqtari Gerdi Hoxha ka pyetur avokatët e Bashës, Bardhin dhe Kason mbi emrin personin që i ka dhënë informacionin Bashës për përfshirjen e Taulant Ballës në çështjen e Toyota Auris.

Pyetjes së gjyqtarit, avokati Bardhi i është përgjigjur se kreu i PD-së nuk do ta tregojë burimin, por ka siguruar se informacioni ishte i saktë. “Informacioni ishte i saktë dhe kjo u provua. E pranon dhe Balla në kallëzimin e tij se Basha është informuar nga një burim i besueshëm pjese e hetimit”, shprehet avokati i Bashës, Gazmend Bardhi.    

Si kundërpërgjigje ndaj mbrojtjes së Bashës, Balla thotë se me këtë logjikë i bie që e ka informuar ai Bashën, pasi kallëzimi është pas deklaratave të kryedemokratit në foltoren e Kuvendit. “Të dënohet Basha për këtë shpifje. S’kam asnjë lidhje as me paratë e as me kriminelët. S’kam dhënë e s’jap garanci për asnjë delikuent. Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedim penal ndaj Bashës për tregtim të informacioneve sekrete”, është shprehur deputeti Balla.

Kësaj deklaratë i është përgjigjur avokati dhe eksperti ligjor në PD, Gazment Bardhi: “Kjo është e pavërtetë. Ndaj Bashës nuk ka asnjë procedim. Ai ka dhënë deklarime në Prokurori dhe ka treguar gjithçka di”.

Seanca e radhës mes dy politikanëve lidhur me këtë çështje do të mbahet më 18 dhjetor në ambientet e Gjykatës Penale.

3.4 mln eurot u gjetën në 2 automjete “Toyota Auris” në Portin e Durrësit, për të cilën Basha akuzoi Ballën se ishte i përfshirë, akuza të cilat deputeti socialist i cilësoi si shpifje, duke ngritur edhe një padi ndaj tij. Padia e dytë për të cilën akuzohet Basha është ajo për dekonspirimin e operacionit të policisë, pasi ai tha në parlament se drejt Shqipërisë ishte nisur një shumë e madhe parash brenda një automjeti “Toyota Yaris” ngjyrë e kuqe.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë