Bota

Tragjedi në Izrael, 44 të vdekur dhe mbi 150 të plagosur gjatë një kremtimi fetar

Të paktën 44 të vdekur dhe mbi 150 të plagosur, njëzet prej tyre në gjendje të rëndë, është bilanci i një tragjedie që ndodhi pas mesnatës gjatë kremtimit të një feste fetare me hebrenj ultra-ortodoksë në malin Meron, në Galile të Izraelit.

Sipas mediave lokale, disa njerëz rrëshqitën nga shkallët e tribunave, duke tërhequr me vete pjesëmarrësit e tjerë dhe duke shkaktuar një largim masiv, gjatë të cilit dhjetëra njerëz u shtypën me këmbë.

Në një postim të publikuar në “Twitter”, një nga drejtuesit e ndihmës së shpejtë, Magen David Adom, specifikoi se shkaku i aksidentit ishte një “shtypje” mes njerëzve që po merrnin pjesë në tubimin fetar. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu foli për një “katastrofë të rëndë”.

Si çdo vit, me rastin e festës hebraike të Lag ba-Omer (e cila përkujton rebelimin hebre të 132 pas Krishtit kundër legjioneve romake) mbi 100,000 hebrenj vëzhgues shkuan në malin Meron për t’u lutur në varrin e Shimon Ber Yochai, një rabin i famshëm të shekullit të dytë të erës sonë.

Sipas traditës, ai është autori i tekstit mistik të Zohar (shkëlqimit). Kjo ngjarje ka qenë më e ngarkuara në Izrael për vite me radhë, ndonjëherë duke tërhequr deri në gjysmë milioni njerëz.

Vitin e kaluar, për shkak të koronavirusit, evenimenti u anulua. Këtë vit, me përmirësimin e gjendjes shëndetësore, ai u autorizua, por me kufizime të shumta të cilat, megjithatë, nuk i rezistuan presionit të turmave masive.

Një fatkeqësi tjetër ka ndodhur gjithashtu në malin Meron në vitin 1911. Atëherë dhjetëra njerëz vdiqën në shembjen e një ndërtese afër varrit të rabinit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë