Bota

Tragjedi në një minierë qymyri në Siberi, të paktën 52 të vdekur

Bilanc dramatik nga një shpërthim në minierën e qymyrit në Listvyazhnaya në Siberi, Rusi. Sipas agjencive lokale, janë 52 viktima, përfshirë minatorë dhe punonjës të grupeve të shpëtimit.

Sipas zyrtarëve të emergjencës, nuk do të kishte asnjë mundësi për të gjetur të mbijetuar. Dinamika është ende e paqartë, por sipas hetuesve tymi u përhap në minierë rreth orës 8:35 të mëngjesit të së enjtes. Një burim nga shërbimet e urgjencës, sipas agjencisë shtetërore ruse ‘Tass’, argumentoi se tragjedia mund të jetë shkaktuar nga pluhuri i qymyrit që dyshohet se mori flakë në një bosht ventilimi.

Sipas burimeve paraprake nga Ministria e Emergjencave, në minierë po punonin 285 persona dhe 239 prej tyre u evakuuan.

“Tani kemi 35 persona nën tokë” dhe “lokacioni i tyre nuk është përcaktuar”, tha Serghiei Tsivilyov, guvernator i rajonit të Kemerovës, në territorin e të cilit ndodhi aksidenti.

Ndërsa administrata e minierës bëri të ditur se “të gjithë grupet e shpëtimit” ishin “evakuuar urgjentisht” nga frika se “përqendrimi i gazit” mund të shkaktonte një shpërthim.

“Operacionet do të rifillojnë sapo përqendrimi i gazit të bjerë në një nivel të sigurt,” tha guvernatori Tsivilyov, duke shpallur tre ditë zie në rajon duke filluar nga e premtja.

Por konfirmimi dramatik i bilancit të viktimave është shumë i rëndë: 52 persona, përfshirë gjashtë pjesëtarë të grupeve të shpëtimit, njoftuan të gjitha agjencitë kombëtare të shtypit, duke shtuar se “askush nuk ka mbetur gjallë”.

“Kur njerëzit vdesin, është një tragjedi e madhe për familjet dhe të gjithë të afërmit”, tha presidenti rus Vladimir Putin. Disa aksidente në miniera kanë ndodhur në Rusi në të kaluarën, fatkeqësi që shumë vëzhgues i lidhin me pajisjet e vjetruara dhe standardet e papërshtatshme të sigurisë.

Një nga fatkeqësitë më të rënda, daton në vitin 2010, kur një shpërthim shkaktoi vdekjen e 91 personave në minierën Raspadskaya, më e madhja në Rusi. Në vitin 2007, një tjetër shpërthim vrau 110 njerëz në minierën Ulyanovkskaya.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë