Gazeta Si – Dyzet e gjashtë emigrantë u gjetën të vdekur dhe 16 të plagosur brenda një kamioni të braktisur në San Antonio, Teksas.
Shefi i zjarrfikësve të qytetit, Charles Hood, shpjegoi se mes të plagosurve, të gjetur të dehidratuar, ka edhe katër fëmijë. Ndërkohë në kamion nuk u gjet asnjë shishe me ujë.
Hetimet vijojnë dhe autoritetet kanë arrestuar tre persona. Nuk dihet nëse mes tyre është edhe drejtuesi i mjetit të rëndë, i cili u largua pak para se të zbulohej kamioni.
Zbulimi makabër u bë nga agjentët e Hetimit të Sigurisë Kombëtare, një agjenci e specializuar në rastet e trafikimit të qenieve njerëzore.
Guvernatori i Teksasit, republikani Greg Abbott, sulmoi presidentin Joe Biden për tragjedinë.
“Këto vdekje janë të tij. Ato janë rezultat i politikës vdekjeprurëse të tij të kufijve të hapur dhe tregojnë pasojat e refuzimit të tij për të zbatuar ligjin”, kritikon Abbott, ndërsa hap një front të ri beteje me Shtëpinë e Bardhë pas armëve dhe abortit.
Guvernatori republikan, aleat i Donald Trumpit, murin e të cilit ai nisi ta ngrejë në kufi me Meksikën, por pa e përfunduar, ka denoncuar prej kohësh emergjencën e emigrantëve në shtet: vetëm në muajin e fundit, 44 mijë njerëz kaluan ilegalisht kufirin midis Del Rios dhe Eagle Pass, qytetet kufitare më afër San Antonios.
Kjo e fundit është një qendër e rëndësishme tranziti për miliona emigrantë prej vitesh.
Tragjedia e San Antonios është një nga më të mëdhatë në historinë amerikane në lidhje me emigrantët e paligjshëm.
Në vitin 2003, nëntëmbëdhjetë emigrantë u gjetën të vdekur në një kamion në Teksas: drejtuesi i mjetit kishte kërkuar 7500 dollarë për person për udhëtimin dhe nuk kishte ndezur kurrë kondicionerin, aq sa brenda kamionit temperaturat i kishin kaluar 70 gradë.
Në vitin 2017, 10 emigrantë u gjetën të vdekur në Teksas në një kamion në një parking të gjigantit të supermarketeve amerikane, “Walmart”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje