Driton Kuka, trajneri i Kosovës në xhudo, është shpallur fitues i çmimit të trajnerit më të mirë në botë për vitin 2021, kurse Distria Krasniqi është shpallur sportistja më e mirë. Një vlerësim ky për arritjet që Kosova shënoi në sportin e xhudos në Lojërat Olimpike të Tokios.
Trajneri Kuka, me sportistet e tij Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, i ka sjellë Kosovës medalje të arta nga Olimpiada e Tokios. Më parë ai ka arritur të tjera sukses me xhudisten e njohur Majlinda Kelmendi.

Për herë të parë një trajner shqiptar zgjedhet si më i miri në botë në sportin e xhudos. Pas fitimit të këtij çmimi, trajneri Driton Kuka ka bërë një postim në faqen e tij në Facebook, ku shkruan:
IJF na nominoj! Dhe sonte edhe zyrtarisht fituam titujt e më të mirëve në Botë për 2021! U votuam nga mbarë Bota, por populli shqiptar ishte me ne më shumë se krejt! Sa shumë jam sonte i gëzuar jo për veten time ose nxanësen time, por për çdo shqiptar që ishte me ne këto ditë.
Sonte do doja të falenderoj me qindra njerëz për ardhjen tonë në këto nivele. Sylen që më mori si fëmijë nga rruga e më dërgoi në tatamit e judos, gjenerata të tëra të xhudos që s’patën rastin të dëshmohen! Majlindes, Disit e Norës që arritën kulmin! Agronit dhe Fatosit, që çdo ditë me orë të tëra flasim për të ecur tutje!
Ekipit tonë që frymon si familje tash e shumë dekada. Të gjithë komunitetit sportiv,mediave që edhe në zhgënjimet në arena sportive ishin me ne! Dhe në fund… O sa mirë me qenë Shqiptar!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje