Ndarja nga jeta në mënyrë tragjike e sulmuesit Emiliano Sala vazhdon të shoqërohet nga polemikat, jo më për shkaqet e rënies së avionit, por për çështjen financiare mes dy klubeve të përfshirë në transferimin tij nga Franca në Angli. Dhe në këtë drejtim ka zhvillime. Kardifi, klubi që e bleu argjentinasin, i ka komunikuar FIFA-s se nuk ka ndërmend ta paguajë shumën e 23.4 milionë eurove te Nanta, ku sulmuesi luante më parë. Sipas klubit nga Uellsi, blerja e Sala nuk ishte regjistruar zyrtarisht.
“Nuk do të paguajmë asnjë qindarkë”. Ky është qëndrimi i qartë i Kardifit për çështjen në fjalë. Futbollisti 28-vjeçar humbi jetën më 21 janar 2019, kur avioni i tij po fluturonte nga Nanta për në Kardif, pasi ishte përshëndetur me shokët e skuadrës për kalimin në Premier League. Pas dhimbjes së atyre ditëve dhe përcjelljes së lojtarit për në banesën e fundit, mes dy klubeve, Kardifit dhe Nantës, nisi sherri për pagesën e transferimit, që kapte shumën e 23.4 milionë eurove bashkë me bonuset.

Sipas asaj që bën me dije “Sun”, drejtuesit e Kardifit ia kanë bërë qartë qëndrimin e tyre FIFA-s, duke u bazuar te fakti se blerja e lojtarit nuk ishte regjistruar zyrtarisht. Në komunikimin që kanë pasur me FIFA-n, ata kanë pohuar gjithashtu refuzimin e Nantës për një takim, ku dy klubet mund të diskutonin për këtë çështje. Edhe drejtuesit e klubit francez iu drejtuan FIFA-s në momentin që klubi uellsian nuk pagoi këstin e parë prej 6 milionë eurosh, pavarësisht shtyrjes së datave të pagesës të miratuar nga vetë FIFA.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje