Politike

Transferimi i Terminalit të Kontenierëve, PD: Do të paguhen 30 mln euro pa garë

Ish-deputetja demokrate, Jorida Tabaku, denoncoi të shtunën nga Porti i Durrësit, një procedurë konçenionare për një nga kalatat e Portit të Durrësit, që do të zgjasë 5 vite, me  kosto  30 milionë euro.

“Por çfarë fshihet pas kësaj procedure? Pas kësaj procedure fshihet një faturë e kripur në Arbitrazh, pasi qeveria detyroi kompaninë koncesionare që të largohet për t’ia dhënë atë një tjetër klienti të radhës.

Fatura që rrezikon qeveria shqiptare prej 100 milionë eurosh i shtohet njëkohësisht faturës së çështjes Becheti dhe të çështjes Aktor. Në total janë tre çështje, të cilat e çojnë vlerën në 250 milionë euro. Të tria, çështje që kanë ardhur si rezultat i korrupsionit, babëzisë, mungesës së vizionit dhe ndihmës që qeveria do t’u japë klientëve dhe oligarkëve të saj”, tha Tabaku.

Sipas saj, koncensioni i kalatës së Portit të Durrësit për 5 vite për 30 milionë euro është një aferë e pastër korruptive.

“Në qoftë se do të kishin larguar thjesht një kompani që këtë Port ta menaxhonte shteti dhe që përfitimet t’i merrte buxheti i shtetit, sigurisht që historia do të kishte qenë ndryshe. Por u detyruan dhe larguan kompaninë, e hapen koncensionin për pak ditë, e kanë mbyllur atë për 20 ditë. Ndërkohë që duhej të bënin një thirrje për tender ndërkombëtar që të zgjaste 52 ditë, për t’ia dhënë atë klientit të radhës.

Ky është një transferim i pastër dhe i qartë i fondeve publike nga buxheti i shtetit tek një koncensionar, që nuk do të bëjë asgjë dhe praktikisht nuk do të bëjë asnjë investim, sepse investimet, mirëmbajtjen do të vazhdojë që do t’i beje Porti i Durrësit”, tha ajo. Tabaku nënvizoi se,  “kompania përfituese nuk ka respektuar asnjë procedurë ligjore”, dhe se për këtë arsye,  PD-ja do të angazhohet që të hetojë  çdo procedurë që ajo do të vlerësojë si korruptive.

“Të ngrihet një grup i posaçëm pune i cili do të çojë përpara drejtësisë këdo që ka firmosur, këdo që ka konceptuar dhe këdo që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një faturë të tillë, siç është fatura që do të ndodhë me koncesionin e Portit te Durrësit, por njëkohësisht edhe me arbitrazhin.

Procedura për konçesionin, e cila po realizohet e mbyllur, do t’ia japë një kompanie afër qeverisë, e cila, përveç cenimit të sigurisë kombëtare ka edhe probleme të cilat lidhen me menaxhimin.

Partia Demokratike do të vazhdojë që ta ndjekë këtë aferë në detaje”, tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë