Futboll

Transferoi Bogdanin në Serinë A, menaxheri Raça: Sa e pashë, m’u duk si fotomodel

Nga Fatjon Rupi – “Kujtoj që Redi Jupi më foli për një djalë të ri të talentuar, që luante me Partizanin në atë kohë”, tregon për Gazeta Si menaxheri i njohur shqiptaro-kroat, Elvjer Raça. Është fillimi i historisë së transferimit të Erjon Bogdanit në Kroaci dhe pastaj në Serinë A.

Ish-sulmuesi i Kombëtares dhe shënuesi më i mirë i saj, është futbollisti i parë shqiptar që luajti në nivel kaq të lartë pas viteve ’90, i pasuar nga Igli Tare dhe disa të tjerë. Dhe menaxheri Raça ka pasur një rol kyç.

Menaxher Elvjer Raça në shkallët e stadiumit “Qemal Stafa”. Gazeta Si, 13 dhjetor 2020

Bogdani veshi fanellën e Rexhinës në vitin 2000, për të bërë më pas histori në futbollin italian, ashtu si Tare, i transferuar në Itali po nga Raça. Por para Italisë, Raça e mori Bogdanin nga Tirana në Kroaci, pas sugjerimit të Jupit, siç pohon që në fillim të këtij rrëfimi. Bogdani vinte pas aktivizimit në Turqi me Gençlerbirligi. “Shkuam e pamë Erionin në Tiranë, në një fushë diku afër një mali. Pastaj u takuam me të dhe familjarët e tij te Hotel Dajti, me sa mbaj mend.

Kur e pashë, m’u duk si një manekin (fotomodel), një djalë simpatik, i pashëm, me një trup të bukur dhe shumë i edukuar, siç është edhe sot. Mendova: ‘ky është për manekin, jo për futbollist’. Biseduam gjatë dhe bëmë të mundur kalimin te NK Zagreb në Kroaci, që ishte shumë mirë atë vit, ishte kampion”, – thotë më tej menaxheri Raça. Ishte vetëm impakti i parë, pasi talenti i Bogdanit nuk vihej në diskutim, ai shkëlqeu në sezonet 1998-2000 në futbollin kroat.

Erjon Bogdani dhe menaxheri Elvjer Raça. Gazeta Si, 13 dhjetor 2020

NK Zagrebin në atë kohë e drejtonte i ndjeri Josip Kuzhe, i cili më pas do të drejtonte edhe Kombëtaren e Shqipërisë. Raça kishte krijuar rrjetin e tij Shqipëri-Kroaci. Edhe pse në ato kohëra ishte e vështirë të transferoje lojtarë nga Shqipëria në një kampionat të huaj, ai çoi nga kampionati ynë në atë kroat, përveç Bogdanit, lojtarë si Redi Jupi, Devi Muka, Vioresin Sinani dhe Bledi Shkëmbi.

“Pasi e pa, trajneri Kuzhe më tha: ‘Djali ka të dhëna të mira. Për parametrat fizikë që ka, është i shpejtë dhe teknik. Erjoni nuk shënonte shumë, por luante mirë, ishte i rëndësishëm për ekipin. Në Kroaci u paraqit mjaft mirë në ato dy vite që luajti”, – shton menaxheri Raça.

Partizani, me të cilin Bogdani luajti në Shqipëri, nuk fitoi asgjë nga transferimi i Bogdanit. Ai kaloi si lojtar i lirë në Kroaci dhe pas dy vitesh shumë të mira erdhi edhe hapi i madh, po nën “regjinë” e Elvjer Raçës: “Kisha lidhje në atë kohë me drejtues të skuadrave italiane dhe Bogdani kaloi në Rexho Kalabria. Kalimi i tij është bërë në minutat e fundit të merkatos, pasi u ra dakord për të gjitha detajet. Nuk ishte e lehtë.

Bogdani me fanellën e Rexhinës ndaj Interit. Gazeta Si, 13 dhjetor 2020

Kishin mbetur gati edhe 15 minuta kohë nga mesnata, kur merkatoja mbyllej zyrtarisht, dhe drejtuesit e Rexhinës donin përgjigjen përfundimtare, sepse duhej të njoftonin federatën për federimin e lojtarit. Erjoni ishte gjithë kohën në kontakte me familjen, veçanërisht me nënën e tij. Koha nuk priste, ishim në limite, por gjithçka shkoi pozitivisht dhe më pas ndodhi ajo që tashmë e dinë të gjithë.

Bogdani u bë protagonist në futbollin italian me disa skuadra. Ndoshta kishte mundësi edhe për më shumë. Ajo që mund të them me siguri të plotë është se Bogdani ka qenë një futbollist shembullor, një djalë shumë i edukuar, një njeri i shkëlqyer, pastaj futbollist i shkëlyqer”

Edhe Igli Tare në Serinë A
“Po, pas Bogdanit kam transferuar edhe Igli Taren në Serinë A. Ai luante në atë kohë me Kajzerslaternin në Gjermani, biseduam me drejtuesit e Breshias dhe gjetëm akordin. Edhe Igli pastaj bëri atë që bëri në futbollin italian dhe tani është një drejtues shumë i njohur në Serinë A dhe jo vetëm. Igli është një njeri inteligjent, jo më kot ka marrë vlerësime të ndryshme, ndoshta mund të kalojë në një klub më të madh”, – tregon Raça.

Igli Tare, kur luante me Breshian. Gazeta Si, 13 dhjetor 2020

Menaxheri rrëfen se e ka edhe një peng sa u takon ish-lojtarëve të Kombëtares shqiptare. “Po, e kam një peng, që nuk kam çuar Alban Bushin në kampionatin italian. “Loku” në atë kohë luante rregullisht me ekipin e tij në Turqi dhe mund të kalonte edhe në Serinë A. Ka pasur edhe shumë lojtarë të tjerë të mirë, që sot mund të bëhen menaxherë shumë të mirë, si Altin Lala dhe Edvin Murati”.

Shqiptaro-kroati ka bërë transferime të shumta futbollistësh në gjithë Europën. Ai ka menaxhuar edhe portierin e Kombëtares, Etrit Berishën, kur e kaloi te Lacio. Menaxhon gjithashtu lojtarë të njohur kroatë dhe nga vende të tjera të Ballkanit. Sigurisht, një “sy” e ka edhe në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë