Kriza brenda së djathtës është thelluar akoma më tej dhe tashmë mund të flitet për tre PD, apo grupime të kësaj partie. Së fundmi sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi pas mbledhjes së grupit, deklaroi se 17 deputetë demokratë nuk do të marrin pjesë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, ku pjesa tjetër e mbështetësve të Lulzim Bashës do të nisin procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri të PD-së.
Bardhi mund të jetë edhe “koka e prerë” e këtij Këshilli, duke e shkarkuar si sekretar të përgjithshëm të PD-së. Te grupimi i Bardhit bëjnë pjesë një pjesë e mirë e deputetëve si Jorida Tabaku, Dashnor Sula, Lefter Gështenja, Dhurata Çupi, Gledion Nallbati, Saimir Korreshi, Xhelal Mziu, Andia Ulliri, Helidon Bushati, Flamur Hoxha, etj.
Dukshëm ky grupim mbështet platformën për ringritjen e PD-së, të cilët mbështetësit e Bashës e rrëzuan në mbledhjen e Kryesisë më15 qershor.
Nga kjo përplasje më e fundit, më i interesuari për të përfituar duket se është Berisha, i cili po shpreson që të pakënaqurit nga Basha t’i bashkohen atij. Normalisht qëndrimi i këtyre demokratëve dhe anësia që do të mbajnë ato është personal, por një bashkim me Berishën duket i largët. Deri më 29 korrik, ku janë parashikuar edhe zgjedhjet më kreun e PD, kjo pjesë e deputetëve mund të jetë pa një busull politike, veç nëse ndërmarrin ndonjë nismë për të krijuar një lëvizje të re politike. Kjo mbetet për t’u parë edhe pse duket e pamundur. Marrja e frenave të partisë nga Basha nxjerr jashtë loje edhe Berishën për të kontrolluar apo marrë PD-në. Edhe ish-kryeministri Sali Berisha ngjan si pa “busull politike” nga kjo lëvizje e Bashës. Dalja e tij nga ky “udhëkryq” mund të jetë zbatimi i skenarit e krijimit të një partie të re, që mund të luajë kartën e bashkimit me të pakënaqurit nga Basha. Një gjë e tillë u paralajmërua edhe nga Luan Baçi, deputeti i grupimit të tij në një studio televizive, i cili u shpreh se mund të mbahet një Kuvend i jashtëzakonshëm ku mund të kërkohet ndryshimi i emrit, por që në thelb sipas tij, mbetet Partia Demokratike.
Nga kjo shkërmoqje e radhës brenda PD-së mund të ketë një situatë të tillë në kampin e demokratëve që Bardhi mund të ketë 17 deputetë mbështetës në Parlament, pra grup parlament, por jo parti. Berisha mund të ketë mbështetës deputetësh pa grup e pa parti, ndërsa Basha mund të ketë Partinë Demokratike me vulë, por jo grup parlamentar. Ndërsa përçarja e radhës do të ndikojë te baza e demokratëve, që nuk duan që të jenë në varësi te Ilir Metës, të cilin Berisha var shpresat për vijimin e ekzistencës së tij në politikë me formulat e koalicionit, një zgjedhje që dukshëm po dëmtojnë të djathtën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje