Ne rrjet

Trump dërgon agjentë federalë në qytetet që drejtohen nga demokratët

Pavarësisht kërkesës së 15 kryebashkiakëve amerikanë për mos dërgimin e agjentëve federalë në qytetet e drejtuara nga ata, pjesa më e madhe demokratë, presidenti amerikan konfirmoi se agjentët do të dërgohen për të ndaluar valën e dhunës. Trump tha se këto qytete kanë drejtues të paaftë dhe të marrë peng nga e majta ekstremiste.

“Kjo derdhje gjaku duhet të përfundojë. Do të dërgojmë agjentë federalë në Chicago dhe Albuquerque, përvec se në Kansas City ku ndodhen tashmë”. Me këtë mesazh në profilin e tij në Twitter Donald Trump konfirmoi nisjen e “Operacionit Legjendë”, një iniciativë anti-krim i propozuar nga prokurori i përgjithshëm i Shteteve të bashkuara të Amerikës, William Bar.

Programi parashikon vendosjen e agjentëve federalë për të ndihmuar policinë vendore në luftën kundër asaj që Departamenti Amerikan i Drejtësisë e ka cilësuar si një valë kriminaliteti të dhunshëm në muajt e fundit si pasojë e emergjencës Covid-19, por dhe vrasjes së afro-amerikanit Geoge Floyd, duke shkaktuar kaos në shumë qytete. Vetëm një ditë më parë në Chicago 14 persona u plagosën nga të shtënat me armë gjatë një funerali.

Trump u shpreh se detyra e tij si president është të mbrojë amerikanët, duke u përplasur në këtë mënyrë me kryebashkiakë dhe autoritete vendore që sipas tij u ka rrëshqitur situata nga duart. Trump i cilësoi kryebashkiakët si ekstremistë në drejtim të qyteteve ku nuk ka më ligje; pengje të së majtës radikale që do të reduktojë fonde dhe të zhdukë policinë. Policinë që kreu i Shtëpisë së Bardhë theksoi se e falënderon dhe e nderon.

Trump është kundër reduktimit të fondeve të policisë dhe një pjesë e madhe e popullsisë e mbështet. Vetëm 40 për qind e amerikanëve – sipas një sondazhi të Uashington Post – mbështet reduktimin e fondeve për agjentët dhe zhvendosjen e tyre tek shërbimet sociale. Presidenti amerikan konsideron këtë temë një pikë force të rëndësishme, në të cilën mbështetet për rizgjedhjen si president në një fushatë elektorale që aktualisht e sheh prapa demokratit Joe Biden i cili u shpreh se Trump është racisti i parë i zgjedhur në Shtëpinë e Bardhë.

Pak para deklaratës së Trump, 15 kryebashkiakë amerikanë me anë të një letre të përbashkët kërkuan tërheqjen trupave nga Portland, Oregon dhe anulimin e planit të Shtëpisë së Bardhë për të dërguar paraushtarakë në qytete të tjera demokrate. Ata e cilësojnë përpjekjen e Trump për të dërguar agjentë federalë pa miratimin e autoriteteve vendore, si një abuzim me pushtetin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë