Lajme

Trump dhe Kim Jong-un takohen në Hanoi

Presidenti amerikan Donald Trump dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, janë takuar për herë të dytë në Hanoi, kryeqytetin e Vietnamit.

Ata përshëndetën njëri-tjetrin krah flamujve, ndërkohë që Trump tha se shpresonte se samiti do të ishte “shumë i suksesshëm”.

“Ne ishim në gjendje të kapërcenim të gjitha pengesat dhe këtu jemi sot”, deklaroi Kim nga ana tjetër.

Në përgjigje, Trump tha ishte i lumtuar të takohej me Kim në Vietnam. “Është mirë të jem këtu, pas samitit të parë shumë të suksesshëm,” shtoi ai, duke thënë se marrëdhënia mes dy udhëheqësve është “me të vërtetë e mirë”.

Donald Trump dhe Kim Jong-un

Gjatë samitit dy-ditor ata pritet të hartojnë një plan për çarmatosjen e gadishullit Korean, edhe pse që nga takimi i parë mes dy liderëve në Singapor vitin e kaluar ka pasur pak përparim. Të dy udhëheqësit do të marrin pjesë në një seri takimesh të enjten, por axhenda e detajuar nuk është bërë ende publike.

Pikëpamjet e Koresë së Veriut mbi denuklarizimin mbeten shumë të ndryshme nga ato të SHBA-së. Për Phenianin, takimi me Trump është më shumë një samit midis dy fuqive bërthamore, i cili do të garantojë se Koreja e Veriut nuk do të “preket”. Për Kim ky samit do të mundësojë ndihma masive ekonomike për vendin e tij të varfër dhe është hapi i parë për çarmatosjen eventuale të Gadishullit Korean.

Duke pasur parasysh fyerjet publike ndaj njëri-tjetrit, gjatë vitit të kaluar, është e jashtëzakonshme që Presidenti Trump dhe Kim Jong-un arritën të takoheshin sërish. Të dy liderët kanë personalitete të forta, ego të madhe dhe një dëshirë të jashtëzakonshme për të qenë në qendër të vëmendjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë