Sport

Trump nderon Tiger Woods: Ndryshoi historinë e golfit!

Njeriu më i fuqishëm në botë ka nderuar lojtarin më të fuqishëm në botë të golfit për 25 vitet e fundit. Presidenti Donald Trump i ka akorduar kampionit të golit “Presidential Medal of Freedom”, që është nderimi më i lartë civil në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Medalja e Lirisë” është një nga vlerësimet më të mëdha në karrierë për Tiger Woods.

“Ka ndryshuar historinë e golfit, duke luftuar me dëmtimet dhe duke u kthyer në majën e këtij sporti. Askush si ai më parë”, – ka thënë presidenti Trump në kopshtin e Shtëpisë së Bardhë. Nderimi vjen pas fitimit të turneut “Augusta Masters” nga kampioni amerikan. Ishte titulli i 15-të ai i fituar 3 javë më parë nga Woods dhe që për më tepër vinte pas katër operacionesh në shpinë dhe divorcit për një skandal seksual.

Woods, duke marrë medaljen nga presidenti i SHBA-ve, Trump

Edhe pse nuk e ka shprehur publikisht, Tiger ka simpati për presidentin Trump si figurë politike. Ndoshta edhe për këtë arsye ka vlerësimin maksimal të numrit 1 të SHBA-ve. “Suksesi juaj i jashtëzakonshëm në fushat e golfit, – ka deklaruar Trump, duke iu drejtuar 43-vjeçarit gjatë ceremonisë, – triumfi juaj fizik dhe vullneti për të fituar janë cilësitë që mishërojnë shpirtin amerikan.” Tiger Woods u përgjigj në mënyrën e vet, duke mos i fshehur emocionet për periudhën e errët që kaloi, që tani duket se e ka lënë pas krahëve. “Ka qenë një aventurë e jashtëzakonshme. Falënderoj ata që kanë qenë me mua në të mirë dhe në të keq. Babai im nuk është më, ndërsa nëna ime është këtu. Faleminderit!”

Tiger Woods është lojtari i katërt i golfit që merr “Medaljen e Lirisë”, një çmim që është akorduar për herë të parë nga presidenti Kennedy që në vitin 1963. Bëhet fjalë për legjenda si Jack Nicklaus dhe Arnold Palmer, të nderuar nga George W. Bush. Në vitin 2014, Barack Obama, mjaft i pasionuar pas golfit, nderoi Charlie Sifford, lojtarin e parë me ngjyrë. Dhe një vlerësim special nga ana e Tiger Woods ka shkuar pikërisht për këtë të fundit: “E kam quajtur gjithmonë gjysh, sepse për mua ishte si një gjysh që nuk e kam pasur kurrë. U bëra aq i afërt me të sa e quajta djalin tim Charlie për nder të tij”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë