Donald Trump mund të jetë ish-presidenti i parë amerikan që përballet me akuza penale, por në mbarë botën shumë liderë aktualë dhe ish-liderë janë ndjekur penalisht apo edhe janë burgosur.
Shumë nga këta liderë i denoncuan akuzat ndaj tyre si të motivuara politikisht.
Por akuzat shpesh nuk kanë qenë pengesë për mbajtjen e posteve politike.
Më poshtë, disa shembuj të dukshëm të kohëve të fundit.
Benjamin Netanyahu i Izraelit
Askush nuk ka shërbyer si kryeministër i Izraelit më gjatë se Benjamin Netanyahu, i cili u betua për mandatin e tij të gjashtë në këtë post në fund të vitit të kaluar.
Kryeministri aktualisht po përballet gjithashtu me akuzat për korrupsion, për mashtrim, ryshfet dhe shkelje të besimit.

Disa nga akuzat përfshijnë edhe dhuratat që Netanyahu ka marrë nga biznesmenë të huaj.
Netanyahu ka mohuar të gjitha akuzat dhe e ka quajtur gjyqin ndaj tij një “gjueti shtrigash”.
Netanyahu ka nxitur njëkohësisht një plan të diskutueshëm për të dobësuar drejtësinë e Izraelit.
Luiz Inácio Lula da Silva i Brazilit
Braziliani Luiz Inácio Lula da Silva u burgos në prill 2018, duke kaluar një vit e gjysmë pas hekurave deri në lirimin e tij në nëntor 2019.
Ai u dënua për korrupsion dhe pastrim parash, pasi ai dhe gruaja e tij dyshohet se morën rreth 1.1 milion dollarë nga një kompani ndërtimi për një apartament në plazh.
Në këmbim, thanë prokurorët, kompania lejohej të merrte kontrata fitimprurëse nga Petrobras, gjigandi i naftës i kontrolluar nga shteti.

Lula i ka quajtur akuzat një “farsë”, duke pretenduar se akuzat ishin të motivuara politikisht.
Pas lirimit të tij nga burgu në vitin 2019, një gjykatë braziliane hodhi poshtë vendimin duke i hapur rrugën Lulës të kandidonte në zgjedhjet presidenciale të vitit 2022, ku mundi Jair Bolsonaro.
Ai u betua si president për herë të tretë në janar.
Tani është Bolsonaro ai që përballet me probleme të mundshme ligjore, duke përfshirë akuzat se ai nxiti sulme të dhunshme në kryeqytetin, Brasilia, në janar.
Cristina Fernández de Kirchner e Argjentinës
Zëvendëspresidentja argjentinase Cristina Fernández de Kirchner u dënua me gjashtë vjet burg dhjetorin e kaluar pasi u shpall fajtore për korrupsion gjatë dy mandateve të saj si presidente, nga 2007 në 2011 dhe 2011 në 2015.
Ajo u akuzua për komplot me zyrtarë të tjerë të qeverisë për të dhënë kontrata në vlerë miliona dollarë për punime rrugore që, sipas padisë, ishin të paplota, të shtrenjta dhe të panevojshme.
Edhe Fernández de Kirchner ka thënë se akuzat kundër saj ishin të motivuara politikisht.

Gjykata argjentinase e shpalli fajtore 70-vjeçaren, e cila më parë kishte shërbyer si presidente e vendit, për “administrim mashtrues” dhe e skualifikoi atë nga mbajtja sërish e posteve publike.
Megjithatë, ajo ka imunitet të përkohshëm për shkak të rolit të saj aktual, që do të thotë se nuk do të shkojë së shpejti në burg dhe mund të apelojë.
Anëar Ibrahim i Malajzisë
Anëar Ibrahim u bë kryeministër i Malajzisë në nëntor 2022 pas dy qëndrimeve në burg përpara postit të tij të kryeministrit.
Anëar u burgos në prill 1999 pasi u dënua për sodomi. Edhe nëse është konsensuale, sodomia është një vepër e dënueshme deri në 20 vjet burg në Malajzinë me shumicë myslimane. Ai gjithmonë i ka mohuar me forcë akuzat, duke pretenduar se ato ishin të motivuara politikisht.
Ky dënim u rrëzua nga një gjykatë në vitin 2004. Pas kthimit të tij si figurë opozitare, ndaj tij u ngritën më shumë akuza për sodomi dhe – pas një beteje të stërzgjatur gjyqësore që u zhvillua në vite – ai u kthye në burg në 2014.
Anëar mori falje mbretërore dhe u lirua nga burgu në maj 2018. Ai u kthye shpejt në parlament, përpara se të drejtonte koalicionin Pakatan Harapan për të fituar një shumicë vendesh në zgjedhjet e përgjithshme të Malajzisë 2022.
Silvio Berlusconi i Italisë
Manjati italian Silvio Berluskoni dha dorëheqjen si kryeministër në vitin 2011.
Berlusconi ishte figura dominuese në politikën italiane për gati dy dekada, një periudhë që e pa atë gjithashtu të akuzuar për të paktën 17 akuza, që përfshinin akuza për përvetësim, mashtrim tatimor dhe ryshfet.
Ai gjithmonë i ka mohuar dhe shumë prej akuzave janë rrëzuar në apel.
Nuk ishin problemet e tij ligjore, por kriza e borxhit të Italisë që çoi në dorëheqjen e tij në 2011.

Pas largimit nga detyra, Berlusconi u dënua më pas për mashtrim tatimor, ku u dënua me një vit shërbim prove në komunitet në një shtëpi pleqsh, ndërsa një gjykatë e rrëzoi dënimin e tij për të paguar për seks një prostitutë të mitur.
Berlusconi u shpall gjithashtu fajtor për ryshfet ndaj një senatori për të ndryshuar fraksionet politike, por nuk kreu burg.
Në shtator 2022, 81-vjeçari fitoi një vend në Senatin e Italisë dhe partia e tij është pjesë e koalicionit qeverisës të Italisë
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje