Ne rrjet

Trump s’do të takojë Vuçiç, plan për një mini-zonë ekonomike Kosovë-Serbi

Gazeta amerikane “New York Times” “tronditi” opinionin publik në Kosovë, duke raportuar se presidenti amerikan Donald Trump mezi priste të takohej me homologun serb, Aleksandër Vuçiç por nuk do të mbante një takim me palën shqiptare. Ky artikull, që kritikonte ashpër qasjen e administratës amerikane ndaj dialogut Kosovë-Serbi u përgënjeshtrua menjëherë nga i dërguari i Trump, Richard Grenell, i cili shkroi se në fakt presidenti nuk do të takohej më asnjërën palë.

“NYT është e detyruar të përmirësojë informacionet bazike për dialogun Kosovë-Serbia. Nuk jam befasuar për këtë gabim, sepse gazeta nuk ka folur asnjëherë me mua, negociatorin e vërtetë”, shkruante Grenell. Më pas, “New York Times” është detyruar të saktësojë lajmin, duke theksuar se Vuçic do të takohet në të vërtetë me Grenell dhe këshilltarin e Trump për sigurinë kombëtare, Robert O’Brien.

I pyetur dje nëse do të takohej me Donald Trump, edhe vetë Vuçiç tha se ai nuk besonte. Ai shtoi se presidenti amerikan do të paraqitej në takim nëse arrihej një zgjidhje. Duke folur për atë që pritet nga takimi, Grenell, tha se administrata amerikane do të punojë që të krijojë një zonë të vogël ekonomike mes dy shteteve.

“Kur fillova të diskutoja këto çështje me njerëzit e Kosovës dhe komunitetin e biznesit në Kosovë, njerëzit në Serbi dhe komunitetin e biznesit atje, çfarë ishte e qartë është se ata dëshironin zhvillim ekonomik. Ata duan vende pune për të rinjtë dhe shpresë”, tha Grenell.

Ai theksoi se SHBA-ja ka bërë të mundur të rihapen fluturimet Bograd-Prishtinë pas 21 vjetësh. “Ende nuk janë zbatuar, por ne kemi arritur marrëveshjen, e cila do të hapë kufijtë e tregtisë dhe një marrëveshje të madhe kufitare për trafikun e automjeteve. Jemi duke provuar të përqendrohemi në situatën ekonomike, për të krijuar një mini-Shengen mes dy vendeve”, deklaroi ai, duke theksuar se këto janë planet për të cilat duhet të shkruajë “New York Times”.

Richard Grenell dhe Vuçiç, Gazeta Si, 2020

Ndërkohë që Grenell fliste nga Uashingtoni për detajet e negociatatave të paqes, presidenti i Aleksandër Vuçiç ndodhet në një vizitë zyrtare në Moskë, nga ku tha se mori këshilla të vyera dhe mbështetje nga presidenti rus, Vladimir Putin, lidhur me çështjen e Kosovës.

Pas takimi kokë më kokë me Putin, presidenti serb tha se shkëmbeu “analiza të mira” gjatë bisedave për “rrugët e zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Dhe nëse mund të them, Putini në një mënyrë të zgjuar paraqiti mendimet e tij duke respektuar qëndrimet e Serbisë. Rusia e respekton Serbinë dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim”, tha ai, por pa dhënë hollësi se cilat ishin këshillat e presidentit rus.

“Putini është shumë i matur dhe i madh që të thotë diçka në mënyrë të drejtpërdrejtë, por ai mund të jap udhëzime në mënyrë të zgjuar? Nuk ka dyshim për këtë”, tha ai.

Rusia një aleate e vjetër e Serbisë, ka theksuar disa herë se do të mbështesë çdo zgjidhje që është e pranueshme për Beogradin dhe që do të merrte bekimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, pohon se Beogradi synon të vazhdojë të ruajë baraspeshën në marrëdhëniet e tij me perëndimin në njërën anë dhe Rusinë e Kinën ndërsa synon një marrëveshje me Kosovën, duke vënë si kusht sipas raporteve, anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Cfarë shkruante “New York Times“?

Gazeta prestigjioze amerikane theksonte se takimi më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, ka “turbulluar” raportet e SHBA-së me aleatët europianë.Në shkrimin e Patrick Kingsley-t dhe Kenneth P. Vogel-it thuhet se gjithçka ka nisur pas emërimit të Richard Grenellit emisar special të presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi. Qasja e Grenellit ndaj aleatëve europianë, sipas “NYT”, është pritur keq nga BE që e akuzon atë për injorim e nënçmim të demokracisë në Kosovë dhe për mbylljen e syve për autoritarizmin në Serbi.

“Dyshoj se në këtë mënyrë mund të zgjidhet një situatë si Kosova, me mënyrën si po përpiqet Grenelli”, ka thënë Wolfgang Petritsch, ish i dërguar i posaçëm i Bashkimit Europian për Kosovën.
“Emërimi i tij ka qenë shumë i dëmshëm për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Me Grenellin ka pasur veç konfuzion”, ka shtuar ai.

Në artikullin e “NYT”, të publikuar të shtunën, jepen detaje se si Grenelli akoma shpreson për një fitore diplomatike në Ballkan para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit në SHBA.Përkrahës të idesë së Grenellit kanë thënë se para se ai të përfshihej në dialog, negociatat kishin mbetur në vend. Kritikët kanë shprehur shqetësime se një vizitë në SHBA është shpërblim për njerëzit që nëpër vendet e tyre janë kritikuar për minim të demokracisë.

“NYT” shkruan se të gjitha administratat amerikane, si ato të demokratëve, por edhe ato të republikanëve, deri tani ishin garantuese të sigurisë në Kosovë, duke bashkëpunuar me europianët, “por në administratën e Trumpit, bashkëpunimi me partnerët europianë është zhdukur. Takimi i javës së ardhshme është caktuar pa konsulta me BE-në”.

Grenelli është përpjekur të zgjidhë çështjen duke rritur presionin mbi Kosovën, shkruan “NYTimes”.
“Kemi harruar kush është klienti ynë”, ka thënë David L. Phillips, ekspert i Ballkanit dhe këshilltar i Departamentit të Shtetit gjatë luftës në Kosovë.

“Nuk është Serbia, por Kosova, shteti të cilin e kemi ndihmuar të formohet, i kemi shërbyer e mbrojtur”, ka theksuar ai.

Grenell takon Presidentin Thaci, Gazeta Si, 2020

“Zgjedhjet s’janë garë, kjo dihet”, ka thënë Marko Savkovic, drejtor i programit për Forumin e Sigurisë në Beograd, konferencë e përvitshme politike në Serbi.

Sipas “NYT”, presioni i Amerikës është vënë mbi Kosovën, jo Serbinë, duke përmendur kërkesën për heqjen e tarifave dhe kërcënimet me ndërprerjen e ndihmës së Amerikës për Kosovën. Në mars, SHBA-ja ngriu 50 milionë dollarë në formë ndihme për Kosovën. Në të njëjtën javë ishte sugjeruar edhe tërheqja e trupave amerikane nga Kosova.

“Kosova s’ka parë kurrë një diplomat si Grenelli”, thotë Brikena Hoxha, drejtoreshë e Iniciativës Kosovare për Stabilitet.
“Stili i Grenellit vjen më shumë si ngacmim, se sa si negocim”, ka shtuar ajo.
Në anën tjetër, në Serbi, ftesa për Vuçicin shihet “si përkrahje për metodat e tij autokratike”. Kështu mendon edhe Dragan Gjilas, lideri opozitar në Serbi.

“NYT” shkruan edhe për marrëveshjet për linjat ajrore e hekurudhore midis Kosovës e Serbisë, të cilat u nënshkruan me ndërmjetësimin e Grenellit. Në shkrim theksohet se palët kanë nënshkruar dokumente të ndara me fjalë ndryshe. Disa nga përkrahësit e Grenellit kanë thënë se Thaçi e Vuçiç po dialogojnë fshehtas për një marrëveshje paqeje.
“Prapa skenave, ata kanë arritur mirëkuptim për disa kushte të një traktati të ardhshëm, përfshirë idenë e rregullimit të kufijve të Kosovës, sipas katër ish-zyrtarëve amerikanë që kanë cituar njerëzit e përfshirë në negociata”, shkruan “NYT”.

Gazeta shkruan se bisedimet mes presidentëve të Kosovës dhe Serbisë ngecën kur në pushtet erdhi Albin Kurti, i cili tha se e drejta për udhëheqjen e dialogut i takon atij dhe jo presidentit Thaçi.
Një nga këta katër ish-zyrtarë, James R.Hooper, ka thënë se Grenelli kishte dalë kundër Kurtit nga frika se ai mund të hidhte poshtë bashkëpunimin e krijuar nga Thaçi e Vuçici.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë