Bota

Trump sulmon Bidenin: Armik i shtetit! FBI kontrollohet nga demokratët

Gazeta Si – “Joe Biden është “armik i shtetit”, “fjalimi që mbajti në Filadelfia ishte plot urrejtje dhe zemërim”, “ishte fjalimi më përçarës i mbajtur nga një president, i cili përçmoi 70 milionë votues”.

Kështu Donald Trump nis sulmin ndaj presidentit në mitingun e mbajtur në Pensilvani për kandidatët e tij për zgjedhjet afatmesme, i pari pas sekuestrimit të dokumenteve të klasifikuara në rezidencën e tij në Mar-a-Lago.

“Ne do t’i japim fund karrierave politike të Nancy Pelosit dhe Joe Biden”, – shtoi ai.

Komentet e Trump vijnë pasi Biden i quajti mbështetësit e republikanit si një rrezik ekzistencial për demokracinë.

Nga tubimi i Pensilvanisë, i cili është i pari që prej mësymjes së FBI-së në shtëpinë e tij, Donald Trump akuzoi Departamentin e Drejtësisë, se po vepron si një mashë e atyre që nuk duan që republikani të rikandidojë për president.

“FBI është bërë një përbindësh i egër i kontrolluar nga e majta demokratike dhe nga media, por unë nuk do të hesht. Është e njëjta FBI që nuk e ndoqi penalisht Hillary Clinton-in për ‘Emailgate’”, tha ai, duke iu referuar serverit privat të përdorur nga Sekretarja e atëhershme e Shtetit dhe mijëra e-maileve që ajo fshiu.

 “Ata postuan foto duke lënë të kuptohet se ato dokumente i kisha shpërndarë në dysheme. Ata janë vërtet njerëz të pandershëm”, vazhdoi ai, duke iu referuar, pa e përmendur emrin, FBI-së dhe fotos që ai paraqiti në gjykatë, duke paraqitur një sërë “sekretesh”, dokumente të vendosura në një kuti gjatë kontrollit të banesës së tij në di Mar-a-Lago.

“Ata donin të dërgonin djalin tim Donald Jr., një djalë i mirë, në burg, duke e akuzuar atë për gjërat që ata shpikën, me një histori krejtësisht të sajuar, një mashtrim, në të cilën thanë Rusia, Rusia, Rusia”, – theksoi ai, duke denoncuar “politizimin” e hetimit për Russiagate, sipas mendimit të tij të nxitur nga demokratët.

Sipas sondazheve të fundit rreth 54% e republikanëve prefererojnë Donald Trump si kandidat për president në vitin 2024, ndërsa Biden preferohet vetëm nga 32% e demokratëve për të rikandiduar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë