Përmes tre postimeve të njëpasnjëshme në rrjetet sociale, Ambasada Turke në Athinë akuzon aktorë të tretë se “po këshillojnë keq Greqinë” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që ka me Ankaranë.
“Nuk është e mjaftueshme dhe ndonjëherë edhe kequdhëzuese që t’u referohesh në terma të përgjithshëm ligjit ndërkombëtare, sidomos kur jep leksione mbi çështje që përfshijnë të tjerët. Nëse palë të treta duan të ndihmojnë në zgjidhjen e mosmarrëveshjejve turko-greke, duhet të shikojnë jo vetëm artikujt e normat e preferuara, por edhe zgjidhjet që ka ofruar jurisprudenca ndërkombëtare, në dritën e arkitekturës aktuale të ligjit ndërkombëtar. Siç thonë, nuk ka asgjë më të urryer sesa një këshillë e gabuar…”, shkruan Ambasada Turke në Athinë.
Në postimin në fjalë nuk përmendet për asnjë moment “aktori i tretë”, por dukshëm reagimi u adresohet Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që së fundmi kanë qortuar qëndrimet turke ndaj Greqisë në përplasjen për ujërat territoriale në Mesdhe, si provokues.
I fundit që e bëri këtë ishte ambasadori amerikan në Athinë, Geoffrey Pyatt.
“Kemi ndarë qëndrimin tonë që prej muajit dhjetor për memorandumin e mirëkuptimit të nënshkruar mes Turqisë dhe Libisë. Në këndvështrimin tonë zonat ekskluzive ekonomike të ishujve duhet të jenë saktësisht si territori kontinental”, deklaroi Pyatt në një intervistë dhënë së fundmi për gazetën greke Kathimerini.
SHBA ka qortuar paktin mes Turqisë dhe Libisë, që ndan ujërat territoriale të Mesdheut dhe afron pretendimet turke vetëm pak kilometra larg ishullit të Kretës. Marrëveshja është kundërshtuar edhe nga Egjipti, Izraeli dhe Qipro.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje