Ne rrjet

Turqia ndan Francën dhe Gjermaninë, Macron e Merkel përpiqen të afrohen

Nuk është më sekret që Gjermania dhe Franca kanë disa ndasi të forta si në politikën e jashtme, ashtu edhe në politikën e brendshme të Bashkimit Europian. Por, dy vendet po përpiqen që të tejkalojnë këto pengesa dhe të shfaqen njëzëri për çështje që i shqetësojnë.

Këtij përafrimi qëndrimesh i shërbeu edhe takimi i së enjtes mes Presidentit francez, Emmanuel Macron dhe Kancelares gjermane, Angela Merkel. Dy udhëheqësit u takuan në Fort de Bregancon, kështjellë franceze e shekullit të 17-të, që përdoret nga Presidentët francezë si rezidencë pushimi e ku me protokoll ftohet vetëm një udhëheqës i huaj në vit për vizitë.

Me vendin e zgjedhur, Macron ka përçuar mesazhin e rëndësisë që kanë për të dhe Francën marrëdhëniet e mira me Gjermaninë. Mjafton të përmendet fakti se Kancelari i fundit që ishte pritur në këtë kështjellë ishte Helmut Kohl 35 vite më parë, për të kuptuar se sa rëndësi kanë këto raporte mes dy vendeve që hera-herës përplasen për hegjemoni brenda Bashkimit Europian.

Një prej qëndrimeve të ndryshme mes dy vendeve është edhe kriza greko-turke në Mesdheun Lindor. Franca është rreshtuar haptazi në krah të Greqisë, madje duke çuar edhe luftanijë në ujërat greke, ndërsa Gjermania ka qenë më neutrale duke bërë thirrje për dialog. Megjithëse, Merkel pranoi se gjendja në këtë kufi të BE-së është kritike, ajo nuk u pajtua me demonstrimin e forcës.

“Mund të dërgosh anije, por ne mbrojmë qëndrimin që problemet zgjidhen duke biseduar dhe jo duke shkallëzuar tensionet. Kjo vlen për të gjithë pjesëmarrësit”, u shpreh ajo.

Nga ana tjetër, Macron u përpoq që të minimizojë ndasitë për këtë çështje. Ai tha se pavarësisht ndasive për mjetet që duhen përdorur, qëllimi si i Francës, ashtu edhe i Gjermanisë është i njëjtë.

“Objektivi ynë strategjik është i njëjtë: sovraniteti dhe stabiliteti europian. Ne kemi mënyrat tona, për t’i bërë gjërat, kemi historinë tonë vetjake”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë