Bota

U përfol edhe Shqipëria, Londra zgjedh Ruandën për të ‘depozituar’ azilantët

Britania e Madhe do t’u presë biletën vetëm vajtje për në Ruanda mijëra azilkërkuesve që kanë hyrë në ishull ilegalisht përmes kanalit të La Manshit.

Plani i qeverisë së Boris Johnson është që të dërgojë në vendin afrikan fillimisht 6500 azilantë, si pjesë e një marrëveshjeje prej 150 mln eurosh të nënshkruar me Ruandën. Marrëveshja është arritur pas diskutimeve që qeveria britanike tha në pranverën e vitit të kaluar se po ndërmerrte me disa vende, mes tyre edhe Shqipëria.

Transferimi i azilantëve në qendra pritjeje nën Ruanda është cilësuar si mizor nga organizatat e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, por Boris Johnson e mbrojti duke thënë se skema ishte e nevojshme për të shpëtuar me mijëra jetë nga trafikimi. Shumica e të dëbuarve janë burra, që kanë hyrë ilegalisht në Britaninë e Madhe.

Johnson tha se skema dekurajon trafikimin e qënieve njerëzore në drejtim të Britanisë së Madhe dhe të ardhurat e organizatave të trafikut, që sipas tij, e kanë shndërruar oqeanin në një ‘varrezë nënujore’ masive me jetë të pafajshme.

Vitin e kaluar rreth 28 mijë persona kanë hyrë ilegalisht përmes varkave të vogla në Britaninë e Madhe, nga 8400 që u raportuan në 2020. Skema është kritikuar nga laburistët, që thonë se ishte jofunksional, joetik dhe i tepruar.

Kundërshtarët thonë gjithashtu se kostoja vjetore e kësaj skeme do të shkojë përtej 150 mln eurove, ndërsa shqetësime u ngritën edhe mbi respektimin e të drejtave të njeriut dhe rekordit negativ të vendit afrikan në këtë drejtim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë