Bota

Udhëheqësit botërorë urojnë Joe Biden, në SHBA nis festa

Udhëheqësit botërorë kanë nisur të urojnë Joe Biden dhe Kamala Harris për fitoren në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Ndër të parat që reagoi ishte Gjermania, me Ministrin e Jashtëm Heiko Maas që tha në Twitter se më në fund rezultatet e zgjedhjeve po flasin qartë.

“Ne shpresojmë të punojmë me qeverinë e ardhshme të SHBA. Ne duam të investojmë në bashkëpunimin tonë për një fillim të ri transatlantik, një marrëveshje të re”, deklaronte ai, duke i dhënë kështu një goditje presidentit Trump, i cili ka pasur një sërë përplasjesh me aleatët europianë, sidomos pas tërheqjes së trupave amerikane nga Gjermania.

Urimi i parë për Biden ishte në fakt nga kryeministri kanadez, Justin Trudeau.

“Urime, Joe Biden dhe Kamala Harris. Dy vendet tona janë miq të ngushtë, partnerë dhe aleatë. Ne ndajmë një marrëdhënie që është unike në skenën botërore. Unë me të vërtetë menzi pres që të punojmë së bashku dhe ta ndërtoj atë me ju të dy”, shkruan ai në Twitter. 

Urimi i dytë për Biden erdhi nga Europa, me kryebashkiaken e Parisit Anne Hidalgo që i uroi Amerikës mirëseardhjen në skenën botërore dhe duke rikujtuar se së shpejti Franca po feston përvjetorin e Marrëveshjes së Parisit për klimën, nga e cila Trump doli 4 vite më parë.

“Mirësëerdhe Amerikë. Ndërkohë që po bëhemi gati të festojmë 5 vjetorin e marrëveshjes se Parisit, kjo fitore tregon edhe njëherë sa të bashkuar duhet të jemi për përballuar ndryshimet klimaterike”, tha ajo.

Kryeministri irlandez, Michael Martin uroi po ashtu Biden në Twitter, duke rikujtuar punën e tij si zëvendës president i SHBA-së për Irlandën.

“Dua të përgëzoj Presidentin e ri të Zgjedhur të SHBA-së Joe Biden. Ai ka qenë një mik i vërtetë i këtij kombi gjatë gjithë jetës së tij dhe unë pres që të punoj me të në vitet në vazhdim. Unë gjithashtu pres ta mirëpres atë në shtëpi kur rrethanat na lejojnë”, tha ai.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se zoti Biden është mbështetës i fuqishëm i NATO-s dhe marrëdhënieve transatlantike.

“Udhëheqja e Shteteve të Bashkuara është më e rëndësishme sa kurrë në një botë të paparashikueshme dhe unë pres që të punoj shumë ngushtë me presidentin e zgjedhur Biden, zëvendës presidenten e zgjedhur, Kamala Harris dhe administratën e re, për të forcuar më tej lidhjen midis Amerikës së Veriut dhe Evropës”, tha ai.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, duke uruar zotin Biden tha se mezi pret të punojë me të.

“Miqësia jonë transatlantike është e pazëvendësueshme nëse duam të përballemi me sfidat e mëdha të kohës sonë”, tha kancelarja Merkel.

Kryeministri britanik Boris Johnson përgëzoi zoti Biden dhe zonjën Harris për “arritjen e tyre historike”.

“Shtetet e Bashkuara janë aleati ynë më i rëndësishëm dhe unë pres që të punojmë ngushtë së bashku në përparësitë tona të përbashkëta, që nga ndryshimi i klimës tek tregtia dhe siguria”, tha kryeministri Johnson.

Presidenti francez Emmanuel Macron, tha se “kemi shumë për të bërë për të kapërcyer sfidat e sotme. Le të punojmë së bashku”! shkroi ai.

Obama: Një fitore historike dhe vendimtare

Ndër të parët që ka reaguar është edhe ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama.

Në një postim në Facebook, Obama shkruan se nuk mund të ishte më krenar që po uron presidentin e radhës, Joe Biden dhe Zonjën e Parë të ardhshme Jill Biden. Po ashtu, Obama shkruan se Joe Biden dhe Harris morën një fitore historike dhe vendimtare.

Nuk mund të isha më krenar që përgëzoj Presidentin tonë të ardhshëm, Joe Biden dhe Zonjën tonë të Parë, Jill Biden. Unë gjithashtu nuk mund të isha më krenar që përgëzoj Kamala Harris dhe Doug Emhoff për zgjedhjen historike si  nënkryetarja jonë e ardhshme. Në këto zgjedhje, në rrethana të përjetuara kurrë më parë, Amerikanët dolën në numër të paparë kurrë. Dhe sapo të numërohet çdo votë, Presidenti i Zgjedhur Biden dhe Zëvendës Presidentja e Zgjedhur Harris do të kenë fituar një fitore historike dhe vendimtare”, shkruan ai. “Ne jemi me fat që Joe mori atë që duhet për të qenë President…Sepse kur ai të hyjë në Shtëpinë e Bardhë në janar, do të përballet me një seri sfidash të jashtëzakonshme që asnjë President nuk i ka pasur kurrë – një pandemi, një ekonomi dhe sistem drejtësie të pabarabartë, një demokraci në rrezik dhe një klimë në rrezik. Unë e di se ai do ta bëjë punën me interesat më të mira të çdo amerikani në zemër, pavarësisht nëse kishte ose jo votën e tyre. Kështu që unë inkurajoj çdo amerikan që t’i japë një shans dhe t’i japë mbështetjen tuaj. Rezultatet e zgjedhjeve në çdo nivel tregojnë se vendi mbetet thellësisht i ndarë. Do të mbetet vetëm Joe dhe Kamala, por secili prej nesh, të bëjë pjesën tonë – të shtrihet përtej zonës sonë të rehatisë, të dëgjojë të tjerët… dhe të gjejë disa pika të përbashkëta nga të cilat të ecim përpara, të gjitha nga ne duke kujtuar se jemi një komb, nën Zotin”, përfundon Obama.

Pas lajmit se Biden siguroi Pensilvaninë, mbështetësit e tij kanë dalë në rrugë për të festuar fitoren e kandiadatit demokrat Joe Biden.

Festa ne New York

Në Filadelfia, një grua është parë duke qarë ndërsa  shprehet: Jam kaq e lumtur. Nuk di se çfarë të bëj.”

Pas tij ka reaguar edhe ish-sekretarja e shtetit amerikan, Hillary Clinton, e cila shkruan se votuesit kanë folur dhe kanë zgjedhur të preferuarit e tyre.

Sipas saj,  kjo është një “biletë” që do ta shkruaj historinë për SHBA-të dhe një refuzim për Trumpin.

Festa ka nisur edhe në qytetin e New York, Chicago dhe Atlanta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë