Nuk kanë mbetur jashtë vëmendjes së organizatave ndërkombëtare të futbollit episodet e shëmtuara të ndeshjes mes Interit dhe Napolit në “San Siro”, ku senegalezi Kulibali ishte objekt i koreve raciste të tifozëve interistë.
Institucioni që drejton futbollin europian dhe shoqata ndërkombëtare e futbollistëve kanë mbajtur qëndim për atë që ndodhi në ndeshjen Inter-Napoli, ku koret raciste ndaj Kalidu Kulibali ishin të shpeshta. UEFA gjykon se autoritet italiane nuk kanë respektuar protokollin në lidhje me episodet e racizmit në stadiume. “FIFPro dhe UEFA dënojnë me forcë ofendimet dhe koret raciste ndaj lojtarit të Napolit, Kalidu Kulibali, gjatë ndeshjes me Interin të mërkurën në mbrëmje. Të dyja organizatat përshëndesin masat e menjëhershme të autoriteteve futbollistike në Itali, që kanë dënuar Interin të luajë dy ndeshje pa tifozë dhe një të tretë me pjesëmarrje të pjesëshme të tifozëve”, – shkruhet në një komunikatë të publikuar në faqen zyrtare të UEFA-s.

Por në këtë komunikatë ka edhe vërejtje për organizatorët e ndeshjes Inter-Napoli nga ana e UEFA-s. “Megjithatë, – vazhdon komunikata, – FIFPro dhe UEFA janë shumë të shqetësuara për këtë incident racist të papranueshëm dhe për atë që në sipërfaqe duket si një mungesë respekti ndaj protokollit anti-racist, të ndarë në tri faza. Kulibali ishte objekt i koreve raciste dhe pavarësisht thirrjeve të spikerit të stadiumit, koret nuk u ndalën. U duk qartë se stafi teknik i Napolit e informoi arbitrin disa herë për koret ndaj mbrojtësit të vet.
Të dyja organizatat mendojnë se koret raciste ndaj Kulibali, i cili la fushën pas dy kartonëve të verdhë, janë të papranueshme dhe nuk kanë vend në futboll. FIFPro dhe UEFA mbështesin drejtuesit e futbollit italian në çdo masë që ata marrin për të luftuar racizmin në stadiume. FIFPro dhe UEFA kanë një politikë tolerance zero ndaj këtij fenomeni”, – mbyllet qëndrimi i këtyre dy organizatave për ngjarjet e fundit në futbollin italian.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje