Në stadiumin “San Mamés” të Bilbaos nuk do të luhen ndeshje të Euro 2020. Lajmi është bërë i ditur nga autoritetet lokale, që kanë shpjeguar se janë informuar nga UEFA për vendimin. Nga organi që drejton futbollin europian janë konsideruar mjaft shtrënguese masat anti-Covid në qytetin bask, që nuk është në gjendje të garantojë praninë e tifozëve të paktën në masën 25% të kapacitetit të stadiumit, sipas rregullores.
Autoritetet baske kanë reaguar ashpër ndaj këtij vendimi. “Është një vendim i njëanshëm, kemi respektuar të gjitha pikat e kontratës së firmosur në vitin 2014. Tani çdo gjë do ta lëmë në dorën e avokatëve tanë”, – shkruhet në një komunikatë zyrtare të autoriteteve lokale. Këshilli komunal i Bilbaos, Këshilli i provincës Bizkaia dhe qeveria e komunitetit autonom të vendeve baske, paralajmërojnë një betejë ligjore me UEFA-n.

“Nuk mund të lejojmë që të vihet në dyshim eksperienca dhe kapaciteti i autoriteteve baske në organizimin dhe administrimin e eventeve të tilla ndërkombëtare. Kemi firmosur një kontratë me UEFA-n, e kemi respektuar 100% dhe ishim gati për gjithçka të nevojshme për ndeshjet e Euro 2020 në “San Mames”. Euro 2020 nuk do të luhet në Bilbao, por nuk do ta lejojmë UEFA-n të luajë me Bilbaon dhe institucionet baske. Do të kërkojmë rimbursimin e shumave të investuara për organizimin e eventit, pra më shumë se 1 milion e 200 mijë euro”, – shkruhet në reagimin zyrtar.
Më 23 prill do të zyrtarizohet vendimi edhe nga UEFA, që duhet të shprehet gjithashtu edhe për situatën në Mynih dhe Dublin, dy qytete të tjera ku është parashikuar të luhen ndeshje të Europianit, por që për momentin janë ende në dyshim. Kryeqyteti irlandez në veçanti rrezikon shumë, pasi e ka të vështirë të garantojë praninë e tifozëve në “Aviva Stadium”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje