UEFA ka vendosur të rritë shpërblimet për skuadrat që marrin pjesë në kampeticionet e saj dhe kjo me siguri do ta bëjë edhe më të fortë fazën finale të sezonit në Shqipëri. Futbolli ynë përfaqësohet me 4 skuadra në Europë, 1 në Ligën e Kampionëve dhe 3 në Ligën e Europës. Skuadra kampione luan në Ligën e Kampionëve, në turin e parë kualifikues, ndërsa fituesja e Kupës dhe vendi i dytë dhe i tretë i kampionatit, shkojnë në Ligën e Europës.
Për momentin, në kampionat po zhvillohet një luftë shumë e fortë për titullin kampion dhe zonën europiane, me 5 skuadra të përfshira, ndërsa Vllaznia, që është në “vallen” e titullit, ka dalë edhe në finalen e Kupës së Shqipërisë, ku do të ndeshet me Skënderbeun. Nëse ajo fiton Kupën, liron një vend në kampionat, duke i dhënë mundësinë vendit të 4-t të shkojë në Europë. Edhe nëse Kupën e fiton Skënderbeu, kështu do të ndodhë, sepse korçarët janë të dënuar.

Deri tani, në turin e parë dhe të dytë të Ligës së Europës, ekipet shqiptare kanë përfituar përkatësisht 240 dhe 260 mijë euro, 500 mijë euro në total. Nga ky vit, në kompeticionin që do të quhet Liga e Konferencës, shpërblimi llogaritet sipas një sistemi progresiv. Për turin e parë shpërblimi do të jetë 350 mijë euro, ku 100 mijë euro merren si parapagesë për pjesëmarrjen, ndërsa 250 mijë euro merren kur ekipi eliminohet. Bëhet fjalë për 110 mijë euro shpërblim më shumë.
Për turin e dytë eliminator ekipet përfitojnë sërish 100 mijë euro parapagesë dhe 350 mijë euro kur eliminohen. Pra, për dy turet e para, ekipit shqiptare do të përfitojnë 200 mijë euro parapagesë dhe 350 pas eliminimit. Totali shkon në 550 mijë euro, 50 mijë euro më shumë se deri tani. Një motiv më shumë për skuadrat tona që të luftojnë më fort për të shkuar në Europë. Deri tani, shanse kanë Teuta, Partizani, Vllaznia, Laçi dhe Tirana, por vetëm 4 prej tyre do të fitojnë një “biletë” europiane.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje