Gazeta Si – Forcat ukrainase të sigurisë arrestuan një grup personash, të cilët, sipas Kievit, po përgatisnin trazira në kryeqytet. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Brendshëm ukrainas, Denys Monastyrsky i cituar nga agjencia e lajmeve “Interfax”.
Autoritetet po punojnë për të identifikuar “drejtuesit dhe përfituesit” e kësaj skeme, veçanërisht për të përcaktuar nëse ka një lidhje me shërbimet e inteligjencës ruse.
Sipas ministrit, në Kiev ishin përgatitur demonstrata në rrugë, gjatë të cilave duhet të kishin shpërthyer trazirat “për të destabilizuar situatën”.
Sipas autoriteteve ukrainase, grupi planifikoi të mblidhte deri në 5 mijë njerëz, “përfshirë 1.5 mijë agjentë mercenarë, të cilët duhet të kishin organizuar përleshje me policinë”.
Për ministrin Monastyrskyi, plani përfshinte djegien e gomave të makinave, përdorimin e fikësve të zjarrit dhe fishekzjarrëve.
Ndërkohë, në lidhje me situatën e përshkallëzuar nga ora në orë, Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të kenë një bisedë telefonike të martën. Kjo është bërë e ditur nga ministria ruse e cituar nga agjencia “Tass”.
Nga ana tjetër, konflikti për Ukrainën, përfshin gjithnjë e më shumë shtete. Britania po përgatit një ligj për ngrirjen e aseteve të kompanive ruse dhe qytetarëve “me rëndësi strategjike” në sistemin energjetik të Moskës, që do të aktivizohet në rast të një pushtimi rus, sipas gazetës “The Times”.
Përveç ngrirjes së aseteve të oligarkëve rusë më të afërt me Kremlinin, projektligji i promovuar nga qeveria do të parashikonte revokimin e vizave të lëshuara për drejtuesit e kompanive ruse në shënjestër. Natyrisht, përgjigja ruse ndaj hipotezës së një ligji britanik “anti-Putin” nuk vonoi shumë.
“Ministri i Jashtëm britanik foli për sanksione, sulmi i një vendi të vetëm ndaj kompanive ruse natyrisht përfshin masa hakmarrëse. Këto do të formulohen vetëm duke marrë parasysh interesat tona, bazuar në interesat tona, nëse është e nevojshme”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke komentuar sanksionet e mundshme britanike lidhur me çështjen e Ukrainës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje