Gazeta Si – Mund të jetë një hapje e vogël, një dritë jeshile drejt një përpjekjeje të parë për negociata midis Kievit dhe Moskës.
Sipas gazetës “Financial Times”, Ukraina mund të jetë e gatshme të negociojë me Rusinë për Krimenë nëse forcat ushtarake ukrainase janë të suksesshme në kundërsulmin e tyre pranveror.
Kështu ka thënë në një intervistë për gazetën britanike, Andrii Sybiha, nënkryetari i zyrës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Nëse ne mund të arrijmë qëllimet tona strategjike në fushën e betejës dhe kur të jemi në kufirin administrativ me Krimenë, do të jemi gati të hapim një faqe diplomatike për të diskutuar këtë çështje”, tha Sybiha për Ft.
Zyrtari gjithashtu vuri në dukje se nuk përjashton mundësinë e çlirimit të Krimesë me mjete ushtarake.
Dje, këshilltari presidencial ukrainas, Mykhailo Podolyak tha se “Rusia nuk ka burime të mjaftueshme për të trajtuar situatën në Krime” dhe se Kievi “do të marrë përsëri gadishullin” brenda një maksimumi “shtatë muajsh”.
Ndërkohë, presidenti francez, Emmanuel Macron dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të takohen sot me udhëheqësin kinez, Xi Jinping. Ata arritën në Pekin të mërkurën dhe do të priten nga presidenti kinez të enjten. Diskutimet midis Macron, Xi dhe Von der Leyen do të fokusohen kryesisht në tregti, luftën në Ukrainë dhe ndryshimet klimatike.
Dje, presidenti francez tha se Kina ka rol të madh në rrugën drejt paqes në Ukrainë, dhe se Franca po kërkon të punojë me Pekinin “në këtë përgjegjësi të përbashkët për paqen dhe stabilitetin” në Kiev.
Edhe pse Pekini thotë se mban qëndrim neutral ndaj luftës në Ukrainë, vizita e Xi me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë dy javë më parë dërgoi një mesazh partneriteti mes dy vendeve.
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë të mërkurën se Kina është duke i ndihmuar ekonomisë së Rusisë, teksa kjo e fundit përballet me sanksionet e Perëndimit për luftën në Ukrainë. Ai ka ritheksuar paralajmërimet e Perëndimit ndaj Kinës që të mos dërgojë armë në Moskë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje