Bota

Ukraina kërkon më shumë armë, kolera po përhapet në Mariupol

Ukraina iu lut vendeve perëndimore për dërgesa më të shpejta të armëve ndërsa forcat ruse të armatosura mirë goditën lindjen e vendit. Gjithashtu kërkuan dhe mbështetje humanitare për të luftuar shpërthimet në rritje të sëmundjeve vdekjeprurëse.
Në Sievierodonetsk, qyteti i vogël që është bërë fokusi i përparimit të Rusisë në Ukrainën lindore dhe një nga pikat më të përgjakshme të një lufte në muajin e katërt të saj, u raportuan luftime të tjera.
Lufta në lindje, ku Rusia po përqendron vëmendjen e saj, tani është kryesisht një betejë artilerie në të cilën Kievi është goditur rëndë, thonë zyrtarët ukrainas. Sipas tyre, rrjedha e ngjarjeve mund të ndryshojë vetëm nëse Uashingtoni dhe të tjerët përmbushin premtimet për të dërguar më shumë armatime dhe më të mira, duke përfshirë sistemet raketore.
“Kjo është një luftë artilerie tani”, tha për gazetën britanike Guardian, Vadym Skibitsky, nënkryetari i inteligjencës ushtarake të Ukrainës.
“Gjithçka tani varet nga ajo që na jep Perëndimi”.
Gjermania, ndër furnizuesit më të mëdhenj të armëve që nga pushtimi i Rusisë, por e kritikuar se është e ngadaltë në furnizimin e armatimit të rëndë që Kievi thotë se i nevojiten, planifikon të rishikojë rregullat e saj për eksportet e armëve për ta bërë më të lehtë armatosjen e Ukrainës, raportoi media gjermane Der Spiegel të premten.
Në jug, kryebashkiaku i Mariupolit, i rrënuar nga një rrethim rus tha se sistemet e kanalizimeve ishin prishur dhe kufomat po kalben në rrugë.
“Ka një shpërthim të dizenterisë (infeksion i zorrëve) dhe kolerës”, tha Vadym Boichenko për televizionin kombëtar.
“Lufta e cila mori jetën e mbi 20,000 banorëve, për fat të keq, me këto shpërthime infeksioni, do të ketë akoma më shumë vdekje”, tha ai, duke shtuar se disa puse ishin kontaminuar nga kufomat.
Boichenko u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq që të krijojnë një korridor humanitar për të lejuar banorët e mbetur të largohen nga qyteti, i cili tani është nën kontrollin rus.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë