Ukraina deklaroi se do të formojë legjinin ndërkombëtar dhe fton të gjithë vullnetarët e huaj, miq të tyre që t’i bashkohen këtij legjioni në luftën kundër agresorëve rusë.
Thirrja u bë përmes rrjeteve sociale nga Presidenti Zelensky.
“Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky u drejtohet të gjithë qytetarëve të botës, miqve të Ukrainës, paqes dhe demokracisë. Kushdo që dëshiron të bashkohet me mbrojtjen e Ukrainës, Europës dhe botës mund të vijë dhe të luftojë krah për krah me ukrainasit kundër rusëve, kriminelë lufte”, thuhet në njoftim.
Në deklaratën e detajuar thuhet se shtetasit e huaj lejohen ligjërisht të bashkohen me mbrojtjen e Ukrainës dhe se një divizion i veçantë luftëtarësh po formohet i quajtur “Legjioni Ndërkombëtar për Mbrojtjen Territoriale të Ukrainës”.
Udhëheqësi i Ukrainës ka shfaqur rezerva më herë në lidhje me reagimin e vendeve perëndimore dhe mbrojtjen e vakët që i kanë bërë ndaj Rusisë.
Aleatët perëndimorë kanë dërguar armë dhe municione, por kanë përjashtuar dërgimin e trupave.
Paralelisht me këtë vendim të Presidentit Zelensky, Ministria e Mbrojtjes ka aktivizuar disa numra telefonikë posaçërisht për familjarët e ushtarëve rusë që ndodhen në Ukrainë. Në këta numra, sipas njoftimit, rusët mund të mësojnë nëse familjarët e tyre janë gjallë, vrarë, apo zënë rob.
Sipas “Kyiv Independent”, sapo ëshë hapur të shtunën në orën 19:00 me orën lokale, shërbimi ka pasur me qindra telefonata nga familjarë rusë të shqetësuar.
Shërbimi quhet “Kthehu gjallë nga Ukraina”. “Në këtë linjë telefonike mund të mësoni nëse të afërmit tuaj janë ende gjallë, të zënë rob, të lënduar dhe mund të vendosni se kur dhe si ta merrni trupin e të afërmit tuaj të ndjerë”, deklaroi një zyrtar ukrainas.
Linja telefonike është një thirrje e drejtpërdrejtë për rusët, mijëra prej të cilëve kanë protestuar kundër luftës së Presidentit Putin në Ukrainë, pavarësisht se janë përballur me arrestim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje