Rusia zhvilloi paradën tradicionale në Sheshin e Kuq për të përkujtuar 9 Majit, ditën e fitores ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore. Parada dhe sidomos fjalimi i Vladimir Putinit u prit me interes të madh.
Pati hamendësime se Putin do të shfrytëzonte këtë fjalim për të bërë një shpallje ‘të madhe’, që përfshinte nga shpallja zyrtarisht e luftës ndaj Ukrainës, deri te deklarimi si të përmbyllur atë që e quan ‘operacion special denazifikimi’.
Por, as e para dhe as e dyta nuk ndodhi. Putin përsëriti retorikën që ka shoqëruar gjatë të gjithë këtyre muajve dhe fajësoi Perëndimin si shkaktar i Luftës në Ukrainë.
Ndërkohë, mediat dhe analistët ndërkombëtare kanë lexuar parakalimin e trupave ruse në Sheshin e Kuq si tregues i dobësisë së Rusisë së Putinit dhe i dëmeve që Ukraina i ka shkaktuar në front.
Në shesh parakaluan më pak tanke se vitet e tjera dhe ato ishin më shumë modele të prodhuara që në epokën sovjetike, nuk pati paradë ajrore dhe zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se arsyeja ishte ‘moti i keq’ dhe për më tepër kishte më pak ushtarë.
Parada e këtij viti grumbulloi rreth 11 mijë ushtarë, ndërsa vitin e kaluar kanë qenë 18 mijë të tillë. Diferenca prej 7 mijë ushtarësh ndodhet në frontin ukrainas. Frontin e përmendi edhe Putini në fjalimin e tij, kur tha se një pjesë e trupave ishin kthyer nga Donbasi.
Ndërkohë, parada ajrore e avionëve dhe helikopterëve luftarakë u anulua në Moskë dhe në tre qytete të tjera ku tradicionalisht është mbajtur vitet e kaluara. Arsyetimi i dhënë nga zëdhënësi i Kremlinit që e lidhi këtë me kushtet e motit nuk bind për faktin se nga pamjet e transmetuara drejtpërdrejt të kësaj parade koha dukej perfekte në Moskë.
Edhe mungesa e avionëve lidhet me konfliktin në Ukrainë, ku Kievi pretendon se ka rrëzuar rreth 200 avionë dhe 155 helikopterë rusë që nga fillimi i luftës më 24 shkurt. Sa për tanke, shifra e dhënë nga Ukraina është rreth 1150 tanke ruse të shkatërruara.
Këto shifra sugjerojnë se arsyeja e vërtetë e shfaqjes së modeleve të vjetra të tankeve, anulimit të paradës ajrore dhe numri më i vogël i trupave që morën pjesë lidhet plotësisht me konfliktin në Ukrainë dhe humbjet e qenësishme të Putinit atje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje