Ne rrjet

Ukraina vë në siklet Erdoganin, i kërkon mbylljen e Bosforit dhe Dardaneleve për anijet ruse

Ukraina i ka kërkuar Turqisë që të mbyllë ngushticat e Bosforit dhe Dardaneleve për anijet ruse, tha të enjten ambasadori i Ukrainës në Ankara, pasi Rusia nisi sulme ajrore dhe tokësore ndaj vendit të tij.

Kërkesa e vë në një pozicion të vështirë anëtarin e NATO-s, Turqinë, e cila ndan një kufi detar me Ukrainën dhe Rusinë në Detin e Zi dhe ka marrëdhënie të mira me të dyja vendet. Sipas një pakti të vitit 1936, Ankaraja ka kontrollin mbi ngushticat dhe mund të kufizojë kalimet e anijeve luftarake gjatë kohës së luftës, ose nëse kërcënohet.

“Ne bëjmë thirrje që hapësira ajrore, ngushticat e Bosforit dhe Dardaneleve të mbyllen. Ne ia kemi përcjellë kërkesën tonë palës turke. Në të njëjtën kohë, ne duam vendosjen e sanksioneve ndaj palës ruse”, tha ambasadori Vasyl Bodnar në një konferencë për shtyp në Ankara.

Turqia ka kundërshtuar sanksionet ndaj Rusisë. Presidenti Rexhep Tajip Erdogan tha se Ankaraja do të përpiqet të menaxhojë krizën pa braktisur lidhjet as me Moskën, as me Kievin, por i ka quajtur gjithashtu të papranueshëm hapat e Rusisë kundër Ukrainës, duke u vetëofruar për ndërmjetësim.

Ndërsa, ndërton bashkëpunim të ngushtë me Rusinë për mbrojtjen dhe energjinë, Ankaraja ka shitur gjithashtu dronë të sofistikuar ushtarakë në Ukrainë dhe ka nënshkruar një marrëveshje për të bashkëprodhuar më shumë, duke shkaktuar pakënaqësi në Moskë.

Turqia kundërshton politikat ruse në Siri dhe Libi, aneksimin e Krimesë në vitin 2014 dhe njohjen e dy rajoneve gjeorgjiane në vitin 2008.

Të mërkurën, Bodnar i kishte thënë Reuters se Kievi e shikonte praninë e anijeve luftarake ruse në brigjet e Detit të Zi pranë Ukrainës si një kërcënim dhe se Ukraina do t’i kërkonte Ankarasë të konsideronte mbylljen e dy ngushticave të saj për anijet ruse nëse Moska ndërhyn ushtarakisht në Ukrainë.

Në fillim të këtij muaji, gjashtë anije luftarake ruse dhe një nëndetëse kaluan tranzit nga ngushticat e Dardaneleve dhe Bosforit në Detin e Zi për atë që Moska i quajti stërvitje detare pranë ujërave të Ukrainës.

I pyetur në lidhje me praninë e anijeve luftarake ruse pranë kufijve të Ukrainës, Bodnar i tha Reuters në një intervistë se anijet përbënin “një rrezik të madh” për Kievin, duke shtuar se përqendrimi detar rus në Detin e Zi ishte “alarmant”.

“Ne besojmë se, në rast të një pushtimi të gjerë ushtarak, ose fillimit të aktiviteteve ushtarake kundër Ukrainës, kur lufta të bëhet jo vetëm de fakto, por edhe de jure ne do t’i kërkojmë qeverisë turke të shqyrtojë mundësinë e mbylljes së ngushticave të Detit të Zi për anijet Ruse”, deklaroi ai.

Sipas Konventës së Montreux të vitit 1936, Turqia anëtare e NATO-s ka kontroll mbi ngushticat e Bosforit dhe Dardaneleve, që lidhin Mesdheun dhe Detin e Zi. Pakti i jep Ankarasë fuqinë për të rregulluar tranzitin e anijeve luftarake detare dhe për të mbyllur ngushticat për anijet luftarake të huaja gjatë kohës së luftës dhe kur ajo është e kërcënuar.

Erdogan tha të mërkurën se Turqia, e cila ka lidhje të mira me Ukrainën dhe Rusinë, nuk mund të braktisë lidhjet e saj me asnjërin vend dhe se do të ndërmarrë hapa për të siguruar që marrëdhëniet të mbeten të paprekura.

“Është e pamundur që ne të braktisim ndonjërin prej këtyre vendeve”, tha ai dhe i bëri thirrje Ukrainës dhe Rusisë që të rifillojnë negociatat, ndërsa i kërkoi NATO-s të “përcaktojë qëndrimin e vet” dhe “të bëjë çfarë të dojë” pas një samiti të mërkurën.

Erdogan ndërpreu një udhëtim në Afrikë pas ashpërsimit të konfliktit në Ukrainë. Ai ka propozuar një samit trepalësh në Turqi me homologun rus Vladimir Putin dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Erdogan gjithashtu i tha Putinit të mërkurën se Turqia nuk i njeh hapat kundër integritetit territorial të Ukrainës, pasi Rusia njohu dy rajone të shkëputura në Ukrainën lindore.

“Në një telefonatë, Erdogan i tha Putinit se nga konflikti ushtarak në rajon nuk do të përfitonte askush dhe përsëriti ofertën e tij për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës”, tha zyra e tij në një deklaratë, duke shtuar se Erdogan tha se vlerësonte bashkëpunimin e ngushtë të Putinit për çështjet rajonale dhe dëshironte të vazhdonte këtë.

Putini nga ana tjetër i shprehu zhgënjimin e vet Erdoganit për ato që ai tha se ishin përpjekjet e Uashingtonit dhe NATO-s për të injoruar kërkesat e sigurisë së Rusisë, citohet Kremlini nga mediat ruse.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë