Futboll

Ulërima Groenen, gol në shtesë dhe çon Holandën në finale

Holanda “fluturon” në finalen e Lionit. Një gol i shënuar në shtesën e parë nga Xheki Groenen ka kualifikuar vajzat e Holandës për në finale, ku i pret Amerika kampione në fuqi. Gjysmëfinalja Holandë-Suedi ishte e mbushur me emocione, pavarësisht se u shënua vetëm një gol. Gjatë 90 minutave të kohës së rregullt, secila skuadër goditi nga një herë shtyllën.

U desh koha shtesë për të përcaktuar finalisten e dytë të Botërorit të femrave dhe në fund buzëqeshi Holanda. Holandezet mundën 1-0 Suedinë me golin e Groenen dhe tashmë ëndërrojnë titullin në finalen e Lionit. Siç ishte parashikuar, ishte Holanda që mori në dorë “frenat” e lojës, kurse Suedia e kishte bazuar gjithçka te kundërsulmi. Gjatë pjesës së parë suedezet patën ndonjë rast dhe shkuan pranë avantazhit, por gjuajtja e Hurtig nga një pozicion i favorshëm u devijua me këmbë nga Van Vanendal. Në pjesën e dytë Suedia goditi shtyllën me Fisher, por vendimtar ishte edhe devijimi i portieres kundërshtare. Holanda u kundërpërgjigj menjëherë dhe gjuajtja me kokë e Miedema, e prekur edhe nga Lindahl, u përplas në shtyllë.

Holandezet festojnë kualifikimin për në finale

Asnjë gol dhe ndeshja shkoi në shtesë, ku Holanda ishte më e freskët fizikisht dhe gjeti golin e kualifikimit, duke shfrytëzuar një gabim në mbrojtje të suedezeve. Një top i dhuruar për Groenen, e cila u shndërrua në “heroinën” e Holandës, falë asaj gjuajtjeje rrafsh me tokën. Suedezet u hodhën të gjitha në sulm, por nuk ia dolën ta ndryshonin rezultatin. Në finalen e 7 korrikut, përballë Amerikës do të jetë Holanda, që eliminoi në gjysmëfinale Anglinë. Të shtunën, më 6 korrik, luhet ndeshja për vendin e tretë mes Suedisë dhe Anglisë.

Aleks Morgan bën gjestin e pirjes së çajit pas golit ndaj Anglisë

Në Botërorin e femrave, që po zhvillohet në Francë, ka edhe polemika. Anglezët kanë reaguar ndaj gjestit të amerikanes Aleks Morgan, e cila e festoi golin e dytë në gjysmëfinale duke “pirë çaj”. Sipas anglezëve, është një gjest ofendues, ndërsa sulmuesja e Amerikës ka thënë se nuk kishte asnjë qëllim ta bënte këtë gjë, por ishte një mesazh për shoqen e skuadrës, Rapinoe.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë