Lajme

Unioni Turistik, Ramës: Hiq fashën e lëvizjes, hap plazhet dhe kufirin tokësor

Të krijohet një korridor për avionët charter

Unioni Turistik Shqiptar i është drejtuar kryeministrit Edi Rama me një letër publike për të shpëtuar sektorin e truizmit, i cili sipas firmëtarit të letrës që është presidenti i Unionit Rrahman Kasa është sektori më i goditur nga kriza që ka humbur këto kohë 90-100 të qarkullimit.

Unioni i kërkon kryeministrit të heqë fashën orare të lëvizjes së njerëzve duke i lënë ata të lirë, të hapë plazhet siç kanë bërë vendet fqinje të rajonit dhe të çelë kufirin tokësor që ti jepet frymëmarrje turizmit.

Po ashtu, Unioni kërkon edhe një korridor të veçantë në Aeroportin Ndërkomëbtar “Nënë Tereza” për uljen e charterave, pasi sipas z. Kasa, partnerët e huaj që kanë rezervuar hotele në Shqipëri janë të gatshëm të ulin charterat e tyre në Tiranë.

“Ne nuk duam të tregojmë padurimin tonë, por duam të ecim në një hap me fqinjët tanë të cilët janë më përpara në planet e tyre; Greqia i ka të hapura plazhet që nga data 4 maj, po kështu fqinji tjetër Mali Zi ka vendosur hapjen e plazheve nga data 18 maj. Këto vende dhe mjaft të tjera kane liberalizuar lëvizjen e qytetarve duke mos i kufizuar ato me fasha orare”- citon letra e hapur drejtuar kryeministrit Rama.

Duke theksuar se masat shtrënguese kanë prodhuar një situatë shumë më të rëndë për biznesin, unioni sqaron se “referuar situatës aktuale, e cila sipas specialistëve konsiderohet më e stabilizuar dhe rënies së virulencës së virusit, ne mendojmë se ka ardhur koha që të hiqet fasha orare e vendosur për levizjen e qytetarëve dhe të rakordohet me vendet kufitare në mënyrë që të hartohet një plan i përbashkët për sa i përket hapjes për qëllime turizmi”.

Për sipërmarrësit turistik, nëqoftëse nuk hiqen kufizimet e lëvizjes për qytetarët në mënyrë që të shfrytëzohet turisti vendas dhe sëpaku nga 18 maj nuk hapen kufijtë me vendet kufitare, ky sektor do ndeshet me pasoja shumë të rënda dhe një numër i madh i këtyre subjekteve pritet të falimentojnë.

Të dhënat e Unionit tregojnë se, aktualisht të gjithë operatorët turistikë, agjensitë e udhëtimit, transportuesit turistik, guidat turistike, ushtrojnë zero biznes dhe vetëm 70% e hoteleve janë të hapur, por edhe këto nuk janë efiçentë për shkak të masave shtrënguese të lirisë së levizjes.

“Ne përshëndesim planin e qeverisë për hapjen e bareve dhe restoranteve në ambientet e jashtme duke filluar nga data 18 maj, por kushtëzimi vetëm në ambientet e jashtme dhe kufizimi i lëvizjes deri në oren 17:30 do jetë pengesë për venien e plotë në efiçencë të tyre, pasi gjatë ditës njerzit janë në punë dhe darkat ngelen më të frekuentuara nga qytetarët”- citon letra e hapur duke shtuar se “ne nuk duam të krijojmë panik, por aktualisht të gjitha subjektet që ushtrojnë veprimtari turistike kane një rënie nga 90-100% të të ardhurave mujore dhe nëqoftëse nuk do të merren masa të shpejta, pritet që së shpejti rreth 70% e të punësuarëve në këtë sektor do të humbasin përfundimisht vendet e punës dhe pandemia shëndetësore do të shndërrohet në pandemi ekonomike dhe sociale”.

Unioni bën me dije se janë marrë të gjitha masat për krijimin e infrastrukturës për pritjen e turistëve, bazuar në protokollet strikte të hartuara nga MTM dhe MSHMS dhe “jemi të gatshëm që të plotësojmë të gjitha kriteret e përcaktura me përgjegjshmëri, vetëm e vetëm që të mbajmë destinacionin, qoftë edhe pa fitim, pasi në të kundërt, do jetë shumë e vështirë për ta futur përsëri në axhendën e Tour Operatorëve të njohur ndërkombëtar për shkak edhe të imazhit të brishtë që ne akoma kemi. “Për këtë arsye kërkojmë që Ju të motivoni këtë bashkëpunim dhe në rakordim edhe me qeveritë e vendeve që operojnë me fluturime charter në Shqipëri, si Polonia, Vendet Nordike, Gjermania, Republika Çeke, Ukraina, vendet Baltike etj, të gjendet një formulë për arritjen e një marrveshjeje bilaterale për hapjen e një koridori për avionët charter, në mënyrë që të shpëtojmë Shqipërinë si destinacion turistik dhe jo vetëm për këtë vit, por edhe për vitet në vazhdim”, thuhet në letër.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë