Lajme

Universitetet, Lleshaj dhe rektorët përgjigjen përpara deputetëve

Seanca dëgjimore e Ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, është përfshirë nga diskutime me tone të ashpra. E pranishme në Komision, deputetja e LSI-së, Keidi Mehmetaj, kërkoi nga ministri Lleshaj një shpjegim për ndërhyrjen e policisë brenda auditorëve të universiteteve.
“Me ju do flas kur të mbaroni universitetin”, ka qenë pikërisht kjo përgjigjja e Lleshajt që ka agravuar përplasjet verbale midis deputetëve.
Ndërkohë, kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi ka ndërhyrë duke vënë në pah komentet e papërshtatshme nga ana e ministrit Lleshaj.
“Ju tërheq vërejtje për të disatën herë. Më vjen çudi që kolegët këtu nuk ndërhyjnë ndaj komenteve tuaja të papërshtatshme. Nuk ju vjen çudi e, nuk reagoni kur një ministër ofendon një kolege tuajën?! Kini kujdes, tregoni etikë për mënyrën sesi i drejtoheni gjithsecilit prej deputetëve. Janë përfaqësues të sovranit që të gjithë. Do t’u përgjigjeni pyetjeve të të gjithëve… Nuk mundet të shkelni etikën në një sallë, mund ta bëni jashtë”, u shpreh Vokshi.
Ndërkohë, më herët në Komisionin e Medias edhe rektorët e universiteteve kanë folur për protestën e studentëve dhe qëndrimet e tyre në raport me arsimin e lartë.

Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni është shprehur se mbështet kërkesat e studentëve, ndërsa ka theksuar se mungesa e fondeve po cenon kërkimin shkencor.
“Kërkesat e studentëve i mbështesim dhe kemi ofruar bashkëpunim. Unë personalisht si rektor të gjitha qëndrimet e asambleve i mbështes për shkak se kërkesat e Asambleve kryesore kanë marrë në analizë situatën dhe janë shprehur me kërkesa. Universiteti i Tiranës ka një buxhet shumë të vogël në nivelin e pagave. Kam kërkuar rritjen e vazhdueshme për kërkimet shkencore dhe mungesa e fondeve dëmton punën e kërkimit shkencor në këto vite”, është shprehur Koni.
Nga ana tjetër, rektori i Mjekësisë, Arben Gjata shtoi faktin se protesta dhe reagimi i studentëve shkundi administratën dhe qeverinë.
“Unë të paktën në këto muaj kam qenë të paktën tre herë në seanca të tilla. Kjo protestë e studentëve shkundi universitetin, administratën dhe qeverinë dhe i bëri ato të reflektojnë. Kaluam një situatë të vështirë me universitetet. Pjesën më të madhe të kërkesave të studentëve i kemi plotësuar dhe madje një pjesë tjetër e kemi kaluar. Nuk i kemi plotësuar të gjitha kërkesat dhe për të analizuar problematikat janë mbledhur senati akademik dhe bordi i administrimit”, është shprehur Gjata.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë