Ish-kreu i Policisë Bashkiake të Tiranës, Florenc Hoxha, është vënë në hetim nga policia, pasi akuzohet se ka ushtruar dhunë ndaj një 36-vjeçari. Sipas një njoftimi zyrtar, policia thotë Hoxha akuzohet për veprën penale “plagosja e lehtë me dashje”.
Të mërkurën, shtetasi me iniciale B.H., ka kërkuar ndihmën e policisë, pasi disa persona i kishin bllokuar rrugën në lagjen “Ibra”, në fshatin Vaqarr, duke e kërcënuar të zbriste nga makina, me pretendimin se në këtë mjet kishte produkte ushqimore që përdoreshin në këmbim të votës.
Nga veprimet e kryera, ka rezultuar se ushqimet ishin përgatitur për t’ua shpërndarë për iftar besimtarëve myslimanë që agjërojnë.

Pas këtij rasti, ka reaguar edhe kryeministri Rama, i cili e ka cilësuar një çmenduri ngjarjen e ndodhur në Vaqarr. Shefi i qeverisë, ndër të tjera ka bërë thirrje se duhet të ruhet qetësia, ndërsa ka shtuar se e diela do të shënojë fundin e mallkimit të së shkuarës.
“Ndalimi i dhunshëm i disa iftareve mbrëmë nga paramilitarët e “mbrojtjes së votës” është një çmenduri e padëgjuar! Thirrja ime është qetësi, qetësi, qetësi, durim, durim, durim, besim, besim, besim! E diela do të shënojë fundin e mallkimit të së shkuarës mbi rrugën e shqiptarëve”, – shkruan Rama në rrjetet sociale.

Ndërkohë, sot në mëngjes, kandidati për deputet i PD, Belind Këlliçi, ka dorëzuar në SPAK një USB, e cila sipas tij përmban biseda për korrupsion nga zyrtarë të mazhorancës në lidhje edhe me këtë çështje.
“Nuk mund të vidhet prona e qytetarëve, mundin e një jete dhe personat të gradohen. Gentian Myrta ka pasur zyrtarë të komunës me vete në bashki me Bledar Gogën, punonjës i kadastrës, të cilët janë kapur në flagrancë me lista legalizimesh dhe ushqime, – thotë Këlliçi. – Janë manipuluar provat në komisariatin numër 6. Ne jemi gjatë gjithë kohës të angazhuar që procesi i 25 prillit të jetë me standarde”.

Kandidati demokrat, shton se ka dorëzuar një USB, që sipas tij është një audiopërgjim. “Kemi bërë edhe dorëzimin e transkriptit. Prokurorisë i takon të bëjë verifikim. Bëhet fjalë për dhjetëra-mijëra euro për t’i dhënë një shërbim që i takon një qytetari”, – shton ai.
Ndërkohë, Partia Demokratike ka publikuar audiopërgjimin që depozitoi më herët në SPAK Këlliçi. Në këtë audipërgjim është një bisedë mes kreut të njësisë administrative, Vaqarr, Gentian Myrta dhe një qytetari, ku i kërkon 30.000 euro për tapinë e tokës. Partia Demokratike i ka bërë thirrje SPAK-ut të hetojë plotësisht këtë ngjarje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje