Futboll

Uzuni shënon në Kroaci, Strakosha mban Lacion në zonën Champions

Shumica e lojtarëve të Kombëtares kanë qenë titullarë me klubet e tyre këtë të diel, por jo të gjithëve u ka shkuar mbarë. Myrto Uzuni, tashmë titullar me fanellën kuqezi, ka qenë sërish protagonist në Kroaci. Ai ka shënuar golin e parë për Lokomotivën e Zagrebit në barazimin 2-2 me Osijekun. Beratasi shënoi golin e parë për skuadrën e tij, duke i dhënë barazimin e përkohshëm, pasi rezultati ishte 0-1 në atë moment. Ishte goli i tretë për Uzunin në kampionat, ku ai po bëhet gjithmonë e më i rëndësishëm për Lokomotivën, që mban vendin e dytë me 29 pikë, pas Dinamos së Zagrebit.

Në Itali kanë zbritur në fushë të gjithë kuqezinjtë. Tomas Strakosha dhe Lacio e tij barazuan 1-1 me Milanin, në një ndeshje direkte për zonën Champions League. Lacio i shpëtoi humbjes në kohën shtesë, kur Korrea barazoi golin e Kesi. Në këtë gol Strakosha nuk kishte faj, pasi topi u devijua.Portieri shqiptar u vlerësua me notën 6.5 në këtë ndeshje, ku veçohet një pritje vendimtare e tij ndaj Çalhanoglu, i ndihmuar edhe nga shtylla. Me këtë barazim, Lacio ruan vendin e katërt në Serinë A.

Tomas Strakosha

Elseid Hysaj vazhdon të zhgënjejë me Napolin, që barazoi 0-0 me Kievon. Shkodrani luajti në të majtë dhe bëri shumë pak në këtë ndeshje, ndaj është vlerësuar me notën 5.5 U zëvendësua në minutën e 74-t nga Mario Rui. Paraqitje shumë të mirë ka bërë mbrojtësi tjetër, Frederik Veseli, i cili mundoi 3-2 Atalantën e Berishës dhe Gjimshitit. Veseli ka bërë disa ndërhyrje të sakta dhe ka qenë strikt në detyrat e tij. Berisha ka bërë dy pritje shumë të bukura në këtë ndeshje, por nuk mundi ta shmangte humbjen. Berat Gjimshiti zhvilloi një pjesë të parë shumë të mirë ndaj Empolit, por gjithçka u fshi nga një gabim në pjesën e dytë, kur mbrojtësi kuqezi dha një “asist” për La Guminën dhe ky i fundit rihapi një ndeshje, që dukej e mbyllur.

Në Greqi, Migjen Basha e nisi ndeshjen titullar me Arisin, kurse Mavraj qëndroi në stol. Por edhe mesfushori kuqezi u ndërrua pas 70 minutash. Arisi fitoi 1-2 në fushën e OFI-t të Kretës. Titullar luajti edhe Andi Lila me Janinën, që mundi 2-0 Levadhiakosin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë