Bota

Vaksinimi nuk e shmang, Serbia futet në karantinë 5-ditore

Serbia renditet në dhjetë vendet me ecurinë më të mirë të vaksinimit në botë, por sërish ky proces masiv nuk e ka shmangur dot karantinën. Qeveria serbe njoftoi hyrjen e vendit në karantinë 5-ditore duke filluar prej ditës së mërkurë deri të hënën e javës së ardhshme.

Vendimi është marrë ditën e martë pas propozimit të ekspertëve, që kishin kërkuar një mbyllje dyjavore pas shpërtimit të infektimeve të reja kryesisht në Nish dhe Beograd, ku shifrat i janë afruar pikut të fillimit të muajit dhjetor, kur raportoheshin mbi 7 mijë raste në ditë, me mbi 5200 raste të regjistruara vetëm ditën e martë.

Baret, restorantet, pishinat, palestrat, këndet sportive amatore, këndet e lojërave për fëmijë dhe qëndrat tregtare ulin plotësisht qepenat deri ditën e hënë, ndërkohë që aktiviteti u lejohet farmacive, marketeve, furrave të bukës dhe me orare të reduktuara dyqaneve të ushqimit të shpejtë dhe shërbimi “Merre me vete”.

Administrata shtetërore dhe disa aktivitete të sektorit privat, si bankat, kompanitë e sigurimit zyrat e këmbimit valutor do të qëndrojnë të hapura. Nga kufizimet përjashtohen edhe dyqanet e aktivitetet ku klienti nuk hyn në ambientet e shitjes, si kioskat dhe gazeta-shitësit. Hapur do të jenë edhe pikat e karburanteve dhe restorantet e baret që ndodhen brenda hoteleve.

Qeveria serbe njoftoi se për zbatimin e masave të reja do të ketë inspektime të hollësishme si nga policia shtetërore, inspektoriatet shëndetësore, ashtu edhe nga policitë bashkiake në të gjithë vendin.

Kryeministrja Ana Bërnabiç u bëri thirrje qytetarëve që të ndërgjegjësohen dhe të zbatojnë vullnetarisht masat e vendosura.

“Të gjitha këto masa janë për të mbrojtur popullatën dhe reduktuar në minimum kontaktet sociale. Deri në fitoren përfundimtare ndaj pandemisë, ndihma e gjithësecilit është e domosdoshme”, thuhet në deklaratën e Qeverisë serb.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se vaksinimi do të vijojë pa ndërprerje dhe sipas planit të miratuar dhe se karantina nuk do të cenojë procesin e imunizimit të popullatës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë