Futboll

Valdet Rama u prezanton gjermanëve Kukësin: Futbolli shqiptar ka evoluar

Përballja me Volfsburgun në turin e dytë të Ligës së Europës ka dy anët e medaljes për Kukësin. Nga një anë aventura europiane mund të mbyllet këtu, sepse kundërshtari është shumë i fortë dhe shanset e kualifikimit janë minimale. Në anën tjetër, sfida ndaj një ekipi të madh është një kënaqësi më vete për çdo lojtar, ndërsa klubi mund të përfitojë më shumë financiarisht nga e drejta televizive.

Valdet Rama, ish-lojtar i Kukësit dy sezone më parë, në fillimet e karrierës ka qenë pjesë e Volfsburgut për pak kohë dhe ai është kontaktuar nga klubi gjerman për të marrë më shumë informacion në lidhje me kundërshtarin e panjohur. Sulmuesi që tani luan me SV Mepen në kategoritë e ulëta në Gjermani, i ka paralajmëruar drejtuesit e Volfsburgut se në Shqipëri futbolli ka ecur përpara dhe se ata nuk do ta kenë të lehtë.

Valdet Rama, kur prezantohej te Kukësi. Gazeta Si, 2 shtator 2020

“Mendoj se ndeshja kundër Volfsburgut do të jetë një reklamë e bukur për futbollistët e Kukësit. Sigurisht, Volfsburgu është favorit për të kaluar turin, por duhet ta ketë gjithmonë “këmbën te gazi”, nuk do ta ketë të lehtë. Pashë ndeshjen e parë të Kukësit kundër Sllavias së Sofjes, luajti mirë dhe guxoi të bënte shumë gjëra. Lojtarët e Kukësit do të japin 100% dhe Volfsburgu duhet të impenjohet shumë. Kukësi është tashmë një top klub në Shqipëri, lufton çdo sezon për titullin kampion”, – është shprehur Rama.

Gjermanët kanë sjellë në vëmendje edhe incidentin e disa viteve më parë, kur në ndeshjen mes Kukësit dhe Legias së Varshavës një lojtar polak u godit me gur. Kukësi e humbi ndeshjen në tavolinë dhe mori një gjobë të majme nga UEFA, por Rama i ka siguruar drejtuesit e Volfsburgut se në Shqipëri nuk do t’u ndodhë asnjë problem i tillë. “Për sa kohë kam qenë te Kukësi, nuk ka pasur një incident të tillë. Futbolli shqiptar ka evoluar vitet e fundit, Federata atje ka bërë një punë të mirë. Nuk kujtoj asgjë negative për kohën që isha te Kukësi”, – ka theksuar ish-lojtari i Kombëtares.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë