Sport

Valieva/ Ndryshim historik, patinazhi ngre moshën minimale

Gazeta Si – Ndryshim historik në botën e patinazhit. Asnjë sportist apo sportiste 15-vjeçare nuk mud të garojë në Olimpiadën e 2026-ës. Vendimi vjen pas rastit që përfshiu yllin Kamila Valieva në Pekin.

Katër muaj pas ngjarjes ‘Valieva’, që tronditi Olimpiadën Dimërore të Pekinit, Federata Ndërkombëtare e Patinazhit e ka ngritur moshën minimale në 17 vjeç. Në kompeticionet për të rritur patinatorët dhe patinatoret nuk do të lejohen nën këtë moshë.

Debati për moshën e re të patinatorëve dhe veçanërisht të patinatoreve, u rihap në Pekin. Pas asaj që i ndodhi ruses Kamila Valieva. Favorite për medalje ari në moshën 15-vjeçare, ajo nuk e mbajti dot presionin, pasi u gjend në mes të një skandali dopingu.

Kamila Valieva. Gazeta Si, 7 qershor 2022

Feforma, e aprovuar nga delegatët e 100 vendeve në kongresin e Phuket në Tailandë, do të bëhet në dy faza. Mosha minimale do të rritet fillimisht në 16 vjeç gjatë sezonit 2023-2024. Pastaj do të kalojë në 17 vjeç nga sezoni 2024-2025.

Objektivi është për të evituar shkatërrimin fizik dhe mendor të sportistëve. Karriera e tyre sportive në nivel të lartë është shpesh shumë e shkurtër.

“Është vendim historik”, – tha presidenti i ISU, Jan Dijkema Kurse drejtori i përgjithshëm i këtij organizmi, Fredi Shmid, e quajti votën një “moment të së vërtetës” para hapjes së kongresit.

Federata në fakt bëri të ditur se rritja e moshës minimale ishte në rend dite para rastit Valieva. Është thënë se ishte një detyrë ruajtja e shëndetit të sportistëve të rinj.

Sipas një sondazhi të komisionit të sportistëve ISU, mes 1000 patinatorësh dhe trajnerësh, 86% ishin pro rritjes së moshës minimale.

Nuk është hera e parë që një proces i tillë i nënshtrohet votës. Në vitin 2018 ishte hedhur poshtë një propozim i tillë, veçanërisht pas kundërshtimeve të Rusisë, që ka shumë sportistë në këtë disiplinë. Tani Valieva dhe shoqet e saj mund të punojnë më të qeta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë