Brenda pak muajve, çelësat e zyrës së drejtuesit kryesor në Bashkinë e Durrësit, e dyta më të madhe në vend, do të ndryshojnë sërish.
Zhyljen Varfaj, kryetari i komanduar i kësaj bashkie, që e mori detyrën pas dorëheqjes së Valbona Sakos, një javë pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar ka dorëzuar kërkesën për dorëheqje të parevokueshme.
Arsyet që jep Varfaj janë shëndetësore.
“Para një situate krejtësisht të pafavorshme, madje me rrezik të shtuar për shëndetin tim, parashtroj dhe jap dorëheqjen time të parevokueshme nga detyra dhe funksionet e ngarkuara”, thotë ai në kërkesën për t’u larguar nga ky post.
Valbona Sako, që u zgjodh kryebashkiake në zgjedhjet e 30 qershorit, u dorëhoq nga posti i kryetares së Bashkisë së Durrësit gjashtë ditë pas tërmetit tragjik, pas dy deklaratave të çuditshme, ku në të parën nënkuptoi se banorët e mbetur të pastrehë nga tërmeti duhet të jenë të kënaqur pasi do të strehohen në hotele me 5 yje, që në kushte normale nuk do të ndodhte kështu, ndërsa në të dytën deklaroi se duhet “të ishim të kënaqur me 50 viktima, pasi në raste të tjera kanë qenë mbi 1 mijë viktima”.
Vendi i lënë bosh nga Sako u përfol se fillimisht iu propozua Etleva Kondit. Por, kjo e fundit e refuzoi marrjen e detyrës. Kjo pasoi propozimin tjetër, atë të Zhyljen Varfajt. Partia Demokratike akuzoi se Zhyljen Varfaj ishte njeriu i tenderave të Vangjush Dakos dhe se me emërimin e tij në krye të Bashkisë së Durrësit, në të vërtetë çelësat e institucionit po i liheshin ish-kryebashkiakut që ka dalë në përgjimet me Avdylajt.
Me largimin e Varfajt pritet që postin e komanduar, Këshilli Bashkiak t’ia kalojë Emirjana Sakos, që pak javë më parë është emëruar nënkryetare e bashkisë, për të plotësuar një nga kriteret ligjore për emërimin e komanduar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje